EUROBASKET 2013
Sllovenia fatale për Spanjën
5 September, 2013 @23:01
Kampionja aktuale e Europës, Spanja, nuk është e pamposhtur. Këtë e vërtetoi nikoqirja e kampionatit, Sllovenia, e cila e mposhti me rezulat 78-69.
Sllovenët, të cilët kishin paraqitje të shkëlqyer në pjesën e dytë të takimit, e regjistruan fitoren e dytë me radhë, derisa Spanja e pësoi humbjen e parë.
Plejmekeri slloven, Goran Dragic, i cili realizoi 18 pikë, 6 kërcime dhe 7 asistime, ishte enigmë e pazgjidhur për mbrojtjen e spanjollëve.
Tek humbësit qendra Mark Gasol ishte më i miri me 17 pikë e 7 kërcime, derisa kontribut të rëndësishëm dha edhe Jose Calderon me 14 pikë dhe 4 kërcime.
Greqia vazhdon e sigurtë
Përfaqësuesja e Greqisë ka shënuar fitoren e dytë me radhë në Eurobasket. Ekipi helen e mposhti Rusinë me rezultat 80-71.
Fakti se pesë basketbollistë te Greqia shënuan pikë dyshifrore, tregon se fitorja u arrit me lojë ekipore.
Basketbollisti rus, Aleksey Shved, ishte koshashënuesi më i miri i ndeshjes me 17 pikë, kurse në anën tjetër, te grekët u dalluan Vassilis Spanoulis dhe Kostas Kaimakoglou me nga 11 pikë.
Maqedonia mposhtet përsëri
Shteti fqinj, Maqedonia, ka pësuar humbjen e dytë në Eurobasketin e sivjetëm, pasi u mposht nga Lithuania me rezultat 75-67.
Lituanezi Mantas Kalneitis luajti 17 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime, kurse tek maqedonët 13 pikët e Vlado Ilievskit dhe 12 të Pero Anticit ishin të pamjaftueshëm për t’i shmangur humbjes.
Franca lehtë ndaj Britanisë
Pasi u befasua në ndeshjen e parë ndaj Gjermanisë, njëra ndër favoritet e Eurobasketit, Franca, arriti të këndellet me fitoren ndaj Britanisë së Madhe.
Nën udhëheqjen e basketbollistëve nga NBA, Nicolas Batum dhe Tony Parker, françezët pa mund të madh e mposhtën Britaninë me epërsi të thellë prej 23 pikëve (65-88).
Batum ishte koshashënuesi më i mirë i takimit me 17 pikë, derisa Tony Parker dhe britanezi Daniel Clark e përmbyllën ndeshjen me nga 16 pikë.
Rezultatet e ndeshjeve
Sllovenia | Spanja | 78 - 69 | |
Greqia | Rusia | 80 - 71 | |
Lituania | Maqedonia | 75 - 67 | |
Britania e Madhe | Franca | 65 - 88 |