EUROBASKET 2013
Kampioni e nis mbarë
4 September, 2013 @19:47
Spanja ka shënuar fitore bindëse duke e mposhtur Kroacinë me epërsi të thellë prej 28 pikëve, 68-40. Kroatët në asnjë moment nuk arritën t’i bëjnë ballë lojës së fortë të Spanjës, e cila nën udhëheqjen e Rudy Fernandez (15), Mark Gasol (14) dhe Jose Calderon (13) nuk u djerësit shumë për të shënuar fitore në ndeshjen e parë të saj në Eurobasket 2013.
Bojan Bogdanovic ishte i vetmi te Kroaci i cili shënoi pikë dyshifrore, duke realizuar 12 pikë.
Derbi ballkanik i takon Malit të Zi
Befasi e Eurobasketit të kaluar, Maqedonia, nuk e ka filluar mirë kampionatin e sivjetëm. Maqedonët u mposhtën me rezultat të ngushtë 80-81 nga Mali i Zi, i cili falë lojës së mirë të plejmekerit Tyrese Rice në çerekun e fundit, arriti që ta përmbys rezultatin që ishte në favor të Maqedonisë.
Përveç Rice-it, i cili shënoi 16 pikë, kontribut të rëndësishëm dha edhe Suad Sehovic po ashtu 16 pikë të tjera, derisa Bo McCalebb me 23 pikë dhe Damjan Stojanovski me 19 pikë ishin më të dalluarit te humbësit.
Greqia pa problem
Me fitore ia nisi edhe Greqia, e cila llogaritet si njëra prej përfaqësueseve favorite në këtë kampionat. Ekipi helen e mposhti Suedinë me rezultat të thellë 51-79.
Në këtë ndeshje, të gjithë lojtarët e Greqisë u regjistruan në listën e koshashënuesve, ndërsa në krye të kësaj liste ishte asi i skuadrës, Vassilis Spanoulis, i cili realizoi 13 pikë.
Në anën tjetër, tek humbësit Jeffery Taylor (16) nuk e kishte përkrahjen e duhur nga bashkëlojtarët e tij, pasi në fund të takimit doli të jetë koshashënuesi i vetëm me pikë dyshifrore.
Drama e ukrainasve
Ndeshje dramatike solli edhe përballja ndërmjet Belgjikës dhe Ukrainës, e cila përfundoi me fitoren e Ukrainës me rezultat të ngushtë 57-58.
Pikët e fitores për Ukrainën i shënoi Eugene Jeter vetëm tre sekonda para fundit të takimit.
Koshashënuesit më të mirë në këtë ndeshje ishin Ihor Zaytsev i Ukrainës me 16 pikë dhe Christophe Beghin i Belgjikës me 14 sosh.
Rezultatet e ndeshjeve
Belgjika | Ukraina | 57 - 58 | |
Maqedonia | Mali i Zi | 80 - 81 | |
Spanja | Kroacia | 68 - 40 | |
Suedia | Greqia | 51 - 79 |