Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EUROBASKET 2013

Gjithçka gati për Eurobasket

Gjithçka gati për Eurobasket


3 September, 2013 @21:57

Emocionet basketbollistike do të ngjallen nesër me ndeshjet e para të kampionatit europian, Eurobasket 2013. 24 përfaqësuese europiane do të luftojnë në mes vete për t’u shpallur kampion i Europës.

SPANJA

Kampioni aktual, Spanja, do të paraqitet pa lojtarët kyq siç janë Pau Gasol, Juan Carlos Navarro, Serge Ibaka, Nikola Mirotic, Victor Sada dhe Felipe Reyes. Lojtarë të cilët çdo përfaqësuese, duke e përjashtuar SHBA-në, do të dëshironta që t’i kishte në përbërje.

Mirëpo, megjithatë Spanja mbetet Spanjë. Nën udhëheqjen e Ricky Rubios, Marc Gasolit dhe Jose Calderonit, Spanja do të hyjë si favorite kryesore në këtë kampionat dhe do të synojë që ta fitojë për herë të tretë rresht titullin e më të mirit të Europës.

 

GREQIA

Pas Spanjës, favorite mund të llogariten përfaqësueset e Greqisë, Francës, Lituanisë, e më pak ato të Serbisë, Kroacisë, Rusisë, Turqisë dhe nikoqires, Sllovenisë.

Arsyeja pse Greqia është një shkallë më poshtë se Spanja është se ekipi  helen nuk do të ndihmohet nga lojtarët e rëndësishëm si Dimitris Diamantidis, Sofoklis Schortsanitis e të tjerë, derisa bara kryesore do të bie mbi basketbollistin e Olympiacosit, Vassilis Spanoulis.

 

FRANCA

 

Një skuadër tjetër e cila do të synojë ndonjë medalje në Slloveni është Franca. Mungesat kryesore të françezëve janë Joakim Noah, Kevin Seraphin dhe Ronny Turiaf, mirëpo derisa padyshim plejmekeri më i kompletuar europian, Tony Parker, do të jetë në fushë, mungesat e cekura më lartë mund të mos vërehen edhe aq shumë, duke pasur parasysh ndihmën edhe të lojtarëve si Boris Diaw, Nando De Colo, Nicolas Batum dhe të tjerë.

 

LITUANIA

Lituanezët edhe atëherë kur nuk kanë qenë favorit, kanë ditur të befasojnë, ndërsa në kësaj radhe suksesi i tyre nuk do të ishte befasi pasi vlerësohen si njëra prej favoriteve.

Arma kryesore e shtetit baltik do të jetë qendra 211 centimetërshe e Torontos, Jonas Valanciunas, që mund të ndihmohet nga Linas Kleiza i cili një kohë të gjatë kishte probleme me lëndime. Megjithatë mungesa i një ‘truri’ siç ka qenë për shumë vite Sarunas Jasikevicius, mund të krijojë një hendikep për Lituaninë.

 

SERBIA

 

Shteti fqinj ka pasur një paraqitje solide në ndeshjet përgatitore para europianit. Lëndimi i lojtarit kryesor të serbëve, Milos Teodosic, ka bërë që trajneri Dusan Ivkovic ta bazojë lojën tek qendra Nenad Krstic. Përveç Teodosicit, as emra të rëndësishëm si Novica Velickovic, Vladimir Micov, Dusko Savanovic, Zoran Erceg dhe Milan Macvan nuk do të jetë pjesë e ekipit sllav.

 

KROACIA

Plejmekeri i Panathinaikosit, Roko Leni Ukic, mesiguri se do të jetë më entuziasti për sukses te kroatët, pasi që është rikthyer në përfaqësuese pas mungesës në Eurobasketin e kaluar për shkak të lëndimit.

Ekipi nga Ballkani nuk ka pasur edhe aq paraqitje mbreslënëse në ndeshjet përgatitore, mirëpo pavarësisht nga kjo, çdo skuadër duhet të ketë kujdes të shtuar ndaj tyre.

 

RUSIA

Sikurse shumica e ekipeve tjera, edhe Rusia ka mungesa të theksuara në skuadër. Andrei Kirilenko, Viktor Khryapa dhe Aleksander Kaun janë mungesat kryesore të rusëve, të cilët gjithmonë kanë qenë të pazëvendësueshëm për shtetin me sipërfaqe më të madhe në botë.

 

TURQIA

Treshja nga NBA, Omer Asik, Hidayet Turkoglu dhe Ersan Ilyasova janë lojtarët kyq të Turqisë, ndërsa pika më e dobët e kësaj përfaqësueseje është pozita e organizatorit, e cila ka mbetur vetëm në duart e Ender Arslanit, pasi që Kerem Tunçeri u pensionua nga kombëtarja.

Shumë pranë ekipit përfundimtar të Turqisë ishte edhe talenti kosovar, Kenan Spahi, i cili në fund nuk u zgjodh nga përzgjedhësi Bogdan Tanjeviç dhe mbeti jashtë Eurobasketit.

 

SLLOVENIA

 

Fakti se do të luajnë para tifozëve të vet, do t’i kushtëzojë sllovenët që ta përmbyllin garën duke e siguruar së paku një vend në podium. Në ndeshjet përgatitore Sllovenia ka pasur paraqitje të mirë, derisa lojtarët më të dalluar ishin Bostjan Nachbar dhe Gasper Vidmar.

Rast i ngjashëm sikurse Kenan Spahiu në Turqi, kishte edhe Gëzim Morina, i cili megjithëse ishte në listën e ngushtë të trajnerit Bozidar Maljkovic, në fund mbeti jashtë 12-shes përfundimtare.

 

TË TJERËT

 

Nga përfaqësueset e tjera befasi mund të na sollin sidomos shtetet ballkanike si Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia. Kjo e fundit në Eurobasketin e kalur kishte përfunduar në vendin e katërt dhe të njëjtën gjë me siguri që do të mundohet ta bëjë edhe në Slloveni. Përveç tyre, rrezik mund të paraqesin edhe ekipet si Italia, Gjermania e Polonia, mirëpo gjasat e tyre për sukses nuk parashikohen të mëdha.



Grupet

GRUPI A
Belgjika
Franca
Gjermania
Britania e Madhe
Izraeli
Ukraina
GRUPI B
Bosnja dhe Hercegovina
Maqedonia
Letonia
Lituania
Mali i Zi
Serbia
GRUPI C
Kroacia
Republika Çeke
Gjeorgjia
Polonia
Sllovenia
Spanja
GRUPI D
Finlanda
Greqia
Italia
Rusia
Suedia
Turqia

 
Të gjitha lajmet nga International