FITOJNË DHE SHPRESOJNË NË KIKS TË PRISHTINËS

Peja rutinore ndaj Rahovecit
1 April, 2023 @21:52
Peja ka kryer në mënyrë rutinore punën sonte, duke e mposhtur Rahovecin në Mizahir Isma me rezultat të thellë, 68-103 [14-18, 17-33, 30-33, 17-19]. Me këtë fitore Peja sonte ka dalë në krye të renditjes tabelare të Superligës dhe shpreson në një gabim të Prishtinës nesër, ashtu që të përfundojë stinorin e rregullt si lidere. Në të kundërtën, verdhezinjtë do t’ia nisin PlayOffit prej vendit të dytë.
Rahoveci në anën tjetër zhvilloi ndeshjen e fundit në Superligë për këtë stinor dhe për stinorin tjetër, pasi që ka 6 xhiro që ka humbur gjasat për mbijetesë, ndërsa Pejës i ka bërë ballë vetëm në çerek të parë të lojës, e pas kësaj ka pasur rënia graduale për tu mposhtur me 35-pikë dallim.
Rami Hadar i ka dhënë mundësi të 12-lojtarëve në dispozicion të paraqiten në fushë të lojës, ndërsa më së shumti minuta kishte Arian Qallaku që dha 6 pikë në 25-minuta sa ishte në parket.
Koshashënuesi më i mirë i Pejës në këtë duel ishte Larry Thomas me 16 të shënuara, ndërsa i bëri edhe 7 asistime e 3 kërcime për 24 minuta lojë. Nga 15 pikë shënuan Arti Hajdari e Alban Veseli, ndërsa të dy ishin koxha të saktë nga vija e treshit, duke shënuar 4/5 dhe 3/4 gjegjësisht.
Te Rahoveci Gary Blackston luajti me 18 pikë, ndërsa Jack Pagenkopf dha 16, duke bërë edhe 7 asistime për ekipin e drejtuar nga irlandezi Daniel Nelson, që përkundër krizës së rezultateve ka treguar paraqitje shembullore duke luftuar në secilën ndeshje deri në fund për të kërkuar befasinë.
Në fund, Peja mbyll stinorin e rregullt të Superligës me bilans 21-7, ndërsa Rahoveci përshëndetet nga Superliga me bilans 4-24.