EDMOND AZEMI
Pensionohet kapiteni
4 July, 2017 @10:43
Në parakualifikime për Botërorin Kina 2019, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll nuk do të mund të ketë ndihmën e kapitenit të deritashëm dhe lojtarit më me përvojë aty, Edmond Azemi.
Ai ka bërë të ditur se për arsye personale i ka dhënë lamtumirë përfaqësueses së Kosovës, ndërsa të njejtën e ka konfirmuar edhe selektori i ri, Brad Greenberg.
“Ai do të ishte i mirëseardhur në ekip me përvojën e tij. Përvoja, personaliteti dhe profesionalizmi i tij i duhet Kosovës, por duhet respektuar vendimet personale,” ka thënë Greenberg për Kohën ditore sot.
Sidoqoftë, Edo, do t’i ndihmojë ekipit të tij të ‘përjetshëm” Sigal Prishtina, pasi që lamtumirën ia ka dhënë vetëm përfaqësueses, ndërsa me kampionët bardhekaltër do të vazhdojë edhe këtë stinor.
Azemi 37 vjeç para se të pranohej Kosova në FIBA ka luajtur edhe për Kroacinë në moshë të re e pas asaj edhe për Shqipërinë.
Kosova ka nisur stërvitjet me selektorin e ri më 1 korrik, ndërsa tash nga lista prej 17 të ftuarve, ajo ka rënë në 16. Gjatë gushtit, Kosova pritet t’i zhvillojë disa ndeshje miqësore të rëndësishme, ndërsa në shtator luhen ndeshjet parakualifikuese, ndaj IRJ Maqedonisë dhe Estonisë.