GJILANI - LLAPI
Përmbysje e Gjilanit për fitore, Llapi pëson humbjen e dytë rresht
26 October, 2024 @14:56
Humbja e dytë rresht për Llapin në Superligë.
Ndonëse ishin në epërsi për një kohë të gjatë, podujevasit do të rikthehen nga Gjilani me humbje, pasi që në fund u mposhtën 2-1 (Blerind Morina 85’, Robert Rrahmani 86’ / Ardit Tahiri 44’) nga Gjilani vendas.
Edhe pse Gjilani ishte skuadër më kërkuese, golin e vetëm në pjesën e parë e gjeti Llapi. Në mungesë të Ahmed Januzit për shkak të kartonëve, Ardit Tahiri luajti si startues dhe e gjeti rrjetën në minutën e 44’, kur shënoi me kokë i shërbyer nga Arbnor Ramadani, ish-futbollisti i Gjilanit.
Gjithashtu, edhe në pjesën e dytë më e rrezikshme ishte skuadra e Gjilanit dhe përmbysja ndonëse vonoi, erdhi.
Edhe pse shumë i disponuar për lojë ishte Vokli Laroshi, portieri llapjan, i cili e shpëtoi disa herë portën e skuadrës së tij, Gjilani e gjeti rrugën e fitores.
Fillimisht shifrat në 1-1 i barazoi zëvendësuesi Blerind Morina 85’, e fitoren e siguroi goli i Robert Rrahmanit një minutë më pas.
Fitorja e sotme e mban Gjilanin në pozitën e tetë, kurse Llapi me dy pikë më tepër është në vendin e pestë.
Xhiron që vjen, Gjilani i shkon Ballkanit, kurse Llapi e pret Niklin 74 në Podujevë.