EKSKLUZIVE: DINO HODZIC

Play-Offi i arritshëm, Gjakovës falenderues!
25 December, 2014 @12:05
Ishte përforcimi i parë i huaj i ekipit të ri të Jeton Nixhës, ndërsa Vëllaznimi ishte kthyer në Superligë, pas një stinori në Ligë të Parë.
Boshnjaku 24 vjeçar shumë shpejt arriti të hyjë në zemrat e tifozëve gjakovarë dhe me numrin e lartë të pikëve për ndeshje, ai u bë lider i skuadrës shumë shpejt.
Kemi bërë punë të mirë
Në ndërkohë derisa po i kalon pushimet dimërore në vendlindje, Dino Hodzic, pranoi të intervistohet nga Borozani.com për të vlerësuar stinorin në Kosovë.
“Mendoj se kemi bërë punë të mirë. Po të kishim pak më shumë fat, do të ishte edhe më mirë dhe përfundimisht mendoj se klubi mund të arrij synimin, që të plasohet në Play-Off,” ka vlerësuar ai gjysmëstinorin që shkoi.
Pas Vitit të Ri vendosim
Ishe ndër më të mirët në Gjakovë këtë vjeshtë. A do të kthehesh te Vëllaznimi?!
“Unë mundohem të bëhem më i mirë dhe jap nga vetja gjithçka në çdo ndeshje. Për pjesën tjetër të stinorit më duhet të flas me kryesinë e klubit, të shohim situatën dhe gjithçka do të qartësohet pas Vitit të Ri,” ka thënë 24 vjeçari nga Zenica, duke bërë të ditur se ende dëshiron të jetë pjesë e klubit kuqezi.
Pasi që e kalove një gjysmëstinor në Kosovë, si po i vlerëson kundërshtarët tjerë të Superligës?
“Liga e Kosovës është e fortë, të cilës i japin kontribut të huajtë që luajnë këtu. Kam luajtur kundër shumë kundërshtarëve, por Prishtina dhe Peja janë dukshëm më të mira se tjerat,” ka vlerësuar ai Superligën.
Gjakova më ka pritur mrekullueshëm
Vëllaznimi dhe Gjakova…
“Nga Gjakova kam vetëm kujtime të bukura. Me të vërtetë jam kënaqur aty, derisa kam njohur njerëz shumë të mirë dhe bashkëlojtarë të mirë. Të gjithë më kanë pranuar shpejt dhe këndshëm,” thotë Hodzic, që morri shumë mesazhe nga tifozët gjakovarë pasi që u kthye në shtëpi.
Dinoja ka hyrë në lojtarët më të mirë të gjysmëstinorit në Kosovë. Ai ka qenë koshashënuesi i pestë i Superligës me mesatare prej 18.8 pikëve për ndeshje. Pastaj ai ka regjistruar 7.9 kërcime, 4.4 asistime dhe 1.4 topa të vjedhur për ndeshje - te të gjitha këto duke u futur në TOP 10 individët më të mirë të vjeshtës në Superligë.
Të arriturat e Vëllaznimit
Vëllaznimi përfundoi stinorin në vend të gjashtë të Superligës, me bilanc prej 5 fitoreve dhe 9 humbjeve, derisa ekipi gjakovar u bë ekipi i parë që mposhti një ekip të katërshes së madhe këtë stinor - Trepçën, si dhe ekipi i parë pas Sigal Prishtinës dhe Pejës që arriti t’i fusë mbi 100 pikë në kosh të një kundërshtari.
Gjakovarët kanë paralajmëruar sigurim të sponzorëve të ri të skuadrës për pjesën tjetër të stinorit dhe nëse arrihet kjo, shto këtu edhe disa përforcime tjera - Vëllaznimi do të jetë kandidat serioz për një vend që dërgon në Play-Off.