POLONIA - KOSOVA
Polonia favorite, lehtë ndaj Kosovës
23 February, 2018 @20:33
Pas humbjeve në dy duelet e para nga Lituania e Hungaria, Kosova ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e tretë eliminatore drejt Botërorit të Kinës.
Përfaqësuesja e Kosovës sonte u mposht nga Polonia, në një takim me shumë pak histori, me polakët që dominuan takimin që nga fillimi e deri në fund.
Gjithçka filloi me një seri 13-0 të Polonisë dhe me Kosovën që pikët e para i shënoi pas 5 minutave lojë, e më pas pjesa tjetër e ndeshjes kaloi rrjedhshëm dhe pa probleme për Poloninë, e cila vetëm sa e shtonte epërsinë gjithnjë e më tepër. Në anën tjetër, te Kosova ra në sy një mbrojtje e papërqëndruar, gabime individuale dhe një numër shumë i vogël i kërcimeve në mbrojtje, faktor që iu mundësonte polakëve disa mundësi për shënim brenda një akcioni.
Për t’u përmendur është fakti që Kosova gjatë gjithë ndeshjes së sontme pati vetëm 10 asistime, numër ky që bindshëm mund të konsiderohet si shumë i vogël për një ndeshje të basketbollit dhe një tregues tjetër për mungesën e organizimit në fazën e sulmit. Gjithsesi, merita për lojën jo të mirë të Kosovës ka edhe kualiteti i madh te Polonia, kur dihet që kjo përfaqësuese është e 28-ta në Botë sa i përket basketbollit.
Pas 40 minutave lojë, rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 90-62.
Më i dalluari në këtë humbje të Kosovës sonte ishte Dardan Berisha me 23 pikë, 4 asistime e 3 kërcime, ndërsa pikë dyshifrore përveç Dardanit sonte patën edhe Erjon Kastrati, Shawn Jones dhe Gëzim Morina, të tre nga 11. Te përfaqësuesja polake sonte u veçuan Gruszecki me 18 pikë, 4 asistime e 2 kërcime dhe Ponitka me 15 pikë, 7 kërcime e 3 asistime.
Kjo humbje bën që Kosova të mbetet e fundit në Grupin C me 3 humbje pas 3 ndeshjeve, derisa Polonia pas 3 ndeshjeve ka 2 fitore e 1 humbje.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan si mysafire e Lituanisë pas 3 ditëve (26 shkurt), takim ky që gjithashtu parashihet të jetë mjaft i vështirë.