SHAWN JONES
Më të mirën për fitoren e Kosovës
23 February, 2018 @14:56
Basketbollisti amerikan që mbron ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës, Shawn Jones, që do të paraqitet për herë të parë në kualifikime për Botërorin Kina 2019 me fanellë të Kosovës, në një prononcim të tij të shkurtë për Kohën ditore sot, ka bërë të ditur se do të jep gjithçka nga vetja për të ndihmuar Kosovën në përballje ndaj Polonisë.
“Do të bëj më të mirën ashtu që ekipi të fitojë,” ka qenë i qartë Jones, që luan në Serie A për Dinamo Sassarin.
Jones që është lojtar i pozitave 4-5, do të luajë për Kosovën në vend të Scott Bamforthit (playmaker) i cili është i lënduar për këto ndeshje. Ndërsa amerikani tjetër që ka mbrojtur ngjyrat e Kosovës, Justin Doellman, nuk është ftuar për këto përballje, pasi që nuk është në formën e tij më të mirë.
Kosova sonte është mysafire e Polonisë, ndërsa tre ditë më vonë përballet me Lituaninë. Kosova për herë të parë po merr pjesë në kualifikime për Botëror, pasi që ka kaluar fazën para-kualifikuese, ku la pas IRJ Maqedoninë.