Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ÇEREKFINALET: SLLOVENIA - POLONIA

Ponitka triple-double, Polonia eliminon kampionin e Evropës

Ponitka triple-double, Polonia eliminon kampionin e Evropës


14 September, 2022 @23:04

Një super paraqitje e Polonisë në çerekfinale të Eurobasketit, ndërsa Mateusz Ponitka ka bërë triple-double për të nxjerrë më të mirën në duel ndaj kampionit aktual të Evropës, Sllovenisë, për të siguruar biletën për në gjysmëfinale të evropianit. Ky ka qenë triple-double i parë në këtë Eurobasket dhe vetëm i treti në histori të evropianeve për një lojtar.

Igor Milicic

Ponitka luajti me 26 pikë, 10 asistime e 16 kërcime në fitoren shokuese që Polonia e drejtuar nga dikur ish-basketbollisti i Trepçës, Igor Milicic, ia bëri Sllovenisë, për të fituar në fund: Sllovenia 87-90 Polonia [26-29, 13-29, 24-6, 24-26].

Luka Doncic

Përkundër rikthimit të madh të Sllovenisë në çerek të tretë, (24-6) kur u mendua se kampioni po rikthehet, fitorja u bë e paaritshme për ta, pasi që polakët me lojë të mençur e luftarak deri në fund, kanë bërë befasinë, ndoshta më të madhe deri tash këtë kampionat, për të siguruar përballjen ndaj Francës në gjysmëfinale.

Polanc celebration

Vlatko Cancar shënoi më së shumti pikë te Sllovenia sonte, duke dhënë 21 sosh, ndërsa Goran Dragic përkundër moshës dha 17 pikë, 5 kërcime e 4 asistime. E superylli slloven Luka Doncic u ndalë në 14 pikë, 11 kërcime e 7 asistime!

Ponitka Mateusz

Përndryshe, Polonia nuk ka qenë në katërshen më të mirë të evropianeve që prej vitit 1971! Ponitkës në këtë paraqitje mresëlënëse të Polonisë i ndihmuan edhe AJ Slaughter me 16 pikë, 6 kërcime e 4 asistime, si dhe Michal Sokolowski me 16 pikë, 5 kërcime e 3 asistime. Sonte, pas 51 vitesh Polonia ka siguruar gjysmëfinalen e një evropiani. Slaughter bile ka qenë “guximtari” që mori barrën për rikthim në lojë të polakëve, pasi që pas rikthimit të Sllovenisë, ai shënoi një treshe, një dyshe dhe asistoi te Ponitka në tre sulmet me radhë të ekipit, për të hyrë baraz në 4 minutat e fundit të ndeshjes.

 


 
Të gjitha lajmet nga Eurobasket