Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRISHTINA - TREPÇA

Prishtina fiton derbin, pas dy vazhdimeve

Foto: plisat/fb

Prishtina fiton derbin, pas dy vazhdimeve


20 November, 2022 @19:36

Janë dashur që të luhen dy vazhdime në përballjen Prishtina-Trepça, për tu përcaktuar fituesi i ndeshjes. Bardhekaltërit kanë arritur t’i mposhtin mysafirët nga Mitrovica në Pallatin e Rinisë, 76-73.

Një super ndeshje u zhvillua në Prishtinë, sa me mbrojtje të fortë, aq edhe me josaktësi të lojtarëve, derisa u desht që të luhen 50 minuta basketboll aktiv për të kuptuar fituesin e derbit të moçëm mes Prishtinës dhe Trepçës, ku bardhekaltërit vedas të drejtuar nga Murat Bilge festuan në fund, pasi që në minutën e fundit të ndeshjes zgjeruan epërsinë në 5 pikë, ndërsa në moment vendimtar, kur Dardan Berisha kishte shënuar për 76-73 [15-16, 13-12, 17-16, 11-12, 11-11, 9-6], Kendrick Brown nuk qëlloi për tri pikë për ta çuar duelin edhe në një vazhdim tjetër.

Përforcimi i ri i Prishtinës, Brooks Debisschop, ka kryer lojën me double-double dhe ka qenë ndër më meritorët në fitoren e ekipit të tij - që në debutimin e tij, derisa mbylli lojën me 24 pikë, 14 kërcime e 2 asistime. Krejt këto ai i bëri në 27 minuta lojë.

Dardan Berisha shënoi 16 pikë, derisa ka gjuajtur 3/12 për tri pikë, si dhe ka bërë 8 asistime e 6 kërcime në lojë. Ai luajti 42 minuta në këtë ndeshje, për fitoren që çoi kryeqytetasit në fitoren e shttatë sezonale.

TABELA AKTUALE

Trepçën e penalizuan gabimet personale në vazhdime. Ata së pari mbetën pa Andrew Gordonin që bëri 5 gabime personale në vazhdimin e parë të ndeshjes, e pas tij me 5 gabime personale u përjashtua edhe Amin Hot. Përndryshe, atyre iu desht shumë pak që të fitonin ndeshjen, por nuk u treguan të saktë në disa momente vendimtare.

Drilon Hajrizi luajti me 17 pikë, 9 kërcime e 1 asistim, derisa gjuajti 1/7 për tri pikë. 15 pikë i dha Erjon Kastrati, kurse në llogari shtoi edhe 6 kërcime e 3 asistime. Kendrick Brown në anën tjetër ka qenë lojtari tjetër i vetëm që ka arritur shifrën e pikëve dyshifrore te Trepça, duke dhënë 14 pikë në 44 minuta lojë dhe duke bërë 4 asistime e 5 kërcime tjera.

Kjo është humbja e parë e trajnerit të ri të Trepçës, Aleksandar Jonchevski, që erdhi në klub për ta zëvendësuar Ljubomir Minchevin e shkarkuar. Në anën tjetër, debutuesi i Prishtinës Debisschop tregoi se është një lojtar i klasit të lartë dhe pritet që rekord-kampionët të marrin drejtim tjetër tash me të në ekip.

Me këtë përballje të përfunduar, Prishtina bën bilancin 7-4 ndërsa Trepça është 6-4 me një ndeshje më pak të zhvilluar.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga