ACADEMIC PLOVDIV - PRISHTINA
Prishtina fiton në Bullgari, 5 fitore rresht në BIBL
22 December, 2021 @18:16
Në ndeshjen e luajtur sonte në Plovdiv të Bullgarisë, Prishtina ka arritur të shënojë fitore me rezultat 74-78 ndaj skuadrës vendase të Academic Plovdivit.
Njëri nga tre referët e ndeshjes sonte ishte referi kosovar Daut Maxhuni, ndërkohë që komisioner i ndeshjes ishte Faton Kurshumlija.
Gjatë pjesës së parë Prishtina u tregua skuadër më e mirë dhe 20-minutëshin e parë të ndeshjes e mbylli me epërsi 4 pikëshe, 32-36.
Më pas, rezultati vazhdoi të mbetej i ngushtë edhe përgjatë gjithë pjesës së dytë, por Prishtina në momentet vendimtare u tregua e vëmendshme dhe arriti ta mbyllë ndeshjen me fitore.
Nemanja Besovic me 12 pikë ishte më i dalluari te skuadra bullgare sonte, e te Prishtina Dachon Burke ishte më i miri me 21 pikë, 4 kërcime, 3 asistime e 1 vjedhje të topit. Ndërkohë, pikë dyshifrore për Prishtinën shënuan edhe Wendell Mitchell (17) dhe Biram Faye (16).
Kjo ishte fitorja e pestë me radhë për Prishtinën në BIBL dhe pas 7 ndeshjeve të zhvilluara, Prishtina ndodhet në vendin e dytë të Grupit B me 5 fitore e 2 humbje, kurse Academic Plovdivi për momentin ka 5 fitore e 4 humbje, duke qenë para Prishtinës në renditje, por me 2 ndeshje më shumë të luajtura.
Kujtojmë që në ndeshjen e parë të sezonit mes këtyre dy skuadrave, Academic Plovdivi e mposhti Prishtinën në Kosovë me rezultat 85-94.