PRISHTINA TREGOI FORCËN NË FUND
Prishtina ia shkakton humbjen e parë Trepçës me trajnerin e ri
13 March, 2023 @21:11
Prishtina ka arritur t’ia ndalë serinë e fitoreve Trepçës, që me trajnerin e ri Engin Gençoglu nuk njihte për humbje qe 6 xhiro në Superligë dhe bashkë me të, edhe 3 ndeshje tjera të Kupës.
Bardhekaltërit edhe pse në të shumtën e kohës në disavantazh, kanë arritur të përmbysin gjithçka në minutat e fundit të ndeshjes për të fituar ndeshjen dhe për të rimarrë kreun e renditjes në Superligë, me fitore 78-75 [20-24, 16-19, 23-17, 19-15].
Kah mesi i çereku të tretë, Trepça kishte 14 pikë epërsi ndaj Prishtinës. Ndërsa çereku i tretë u mbyll me 59-60! Mitrovicasit rikthyen avantazhin deri në 7 pikë përgjatë çerekut të katërt, por pas barazimit të fundit 43 sekonda para fundit të ndeshjes 74-74, përkundër 74-75, një treshe e Both Gach dhe dyshja e Jan Palokaj krejt në fund, bëri që Prishtina të fitojë 78-75! Dy gjuajtjet e fundit në aksionet e Trepçës nuk gjetën koshin (e fundit nga Tmusic, prej gjysmës së vet) dhe kështu mitrovicasit morrën humbjen e parë me Gençoglun në krye.
Derrick Wilson me 14 pikë, 6 asistime e 5 kërcime ka qenë më i dalluari te Prishtina, ndërsa 13 pikë dha Jan Palokaj, që shutoi 3/5 për tri pikë. Me nga 11 pikë ndeshjen e kryen Both Gach e Nate Grimes.
Drilon Hajrizi, edhe pse luajti me 23 pikë (4/6 për tri pikë) nuk mjaftoi për mitrovicasit. Njëjtë sikurse edhe 13 pikët e Jamel Artisit e 12 të tjera të Will Danielsit.
Përndryshe, kjo është fitorja e tretë e Prishtinës ndaj Trepçës në stinorin e rregullt, ku mitrovicasiit kishin fituar vetëm ndeshjen e parë, ndërsa tre të tjerat i humbën në kuadër të Superligës dhe bilansi mes tyre këtë stinor u bë 3-1 në të mirë të rekord-kampionëve të Kosovës.
Fitorja, bën që Prishtina të ketë bilans 19-6 në krye të tabelës, ndërsa Trepça e katërta ka bilans 15-10, 3 xhiro para fundit të stinorit të rregullt.