FINAL SERIES: BASHKIMI F - PRISHTINA F
Prishtina para titullit! Rikthimi i madh s’mjaftoi
20 April, 2019 @21:03
Prishtina tash është vetëm një fitore larg shpalljes kampione e Kosovës për stinorin 2018/19.
Bardhekaltërat të drejtuara nga Fidan Shatri kanë arritur të shënojnë fitore tepër të rëndësishme ndaj Bashkimit në Sezai Surroi sonte, 77-79, për të marrë epërsinë e serisë 1-2 dhe ndeshjen e radhës e luajnë në terren të tyre.
Prishtina e nisi më mirë ndeshjen dhe çerek pas çereku ngriste epërsinë. 11-18, 15-23 dhe 21-25 ishin rezultatet tre çerekëve të para, gjithmonë në favor të Prishtinës për të hyrë në çerekun e fundit me 19 pikë epërsi.
Shiko: PLAYOFF SKEMA
Por në çerekun e fundit kampionet aktuale nën drejtimin e trajnerit Furkan Saglik kanë qenë shumë afër rikthimit të madh, duke nisur pjesën e fundit të ndeshje furishëm për të krijuar epërsi dhe për të hyrë në sekondat e fundit baraz, 77-77.
Së pari Tykyra Williams e Prishtinës dështoi të shënojë, pastaj Danisha Shaw e Bashkimit s’shënoi për të hyrë në 9 sekondat e fundit të ndeshjes me topin te Prishtina.
E përmes një fauli, Williams shënoi për 77-79 dhe i dha fund dramës në Prizren dhe për të marrë fitoren në Prishtinë.
Triple-double i Shawit s’mjaftoi
Braennan Farrar ka qenë më efikasja te Prishtina sonte. Ajo kreu ndeshjen me 22 pikë e 4 asistime. Ndërsa b kreu duelin me double-double prej 19 pikëve dhe 11 kërcimeve, e 18 pikë të tjera shtoi Saranda Daci.
Në anën tjetër te Bashkimi, që sonte me këtë disfatë humbi epërsinë e terrenit vendas në serinë finale Danisha Shaw ka qenëë si zakonisht më e mira.
Shaw kreu ndeshjen me triple-double prej 33 pikëve, 11 asistimeve dhe 12 kërcimeve, derisa 21 pikë tjera i shënoi Mary Stewart. Përveç dyshes amerikane vetëm edhe Ulpiana Emra nga vendoret arriti kuotën e pikëve dyshifrore duke shënuar 12 pikë.
Tash Bashkimi do të udhëtojë në Prishtinë në duelin e katërt të serisë. Nëse Bashkimi fiton atje, atëherë seria barazohet në 2-2 dhe finalja vendimatare luhet në Prizren. Në të kundërtën, Prishtina bëhet kampione e Kosovës.