Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA - PRIZRENI

Prizreni ia shkakton humbjen e parë Pejës

Prizreni ia shkakton humbjen e parë Pejës


10 November, 2022 @20:57

KB Prizreni ka shënuar fitore ndaj Pejës në përballjen që i takonte xhiros së nëntë në Superligë dhe të parës në Ligën Unike.

Peja kështu ka pësuar për herë të parë këtë stinor në Superligë, derisa amerikani i bardhezinjëve nga Prizreni Dachon Burke ka shkëlqyer me 33 pikë.

Kjo ndeshje e Superligës nuk u luajt me kohë, pasi që pritej fillimi i Ligës Unike, ku rezultatet mes ekipeve të elitës së basketbollit kosovar llogarien në të dyja ligat. Xhiroja e nëntë u luajt në fundjavën e kaluar sipas orarit, ndërsa skuadrat në fjalë kryen punën sonte, për të menduar duelet e fundjavës. E në fundjavë Prizreni luan derbin lokal ndaj Bashkimit, derisa Peja i shkon kampionit aktual, Yllit.

TABELA AKTUALE

Sa i përket ndeshjes së sontme, ajo ishte përballje tejet interesante Prizreni ka arritur që pas pushimit mbi dyjavor për shkak të ndeshjeve të shtyera të Superligës të fitojë. Dhe këtë e ka bërë ndaj skuadrës më në formë në elitë, Pejës. Verdhezinjtë deri sot nuk njihnin humbje në asnjë garë, si në Superligë ashtu edhe në BIBL, ndërsa kjo e fundit ishte edhe në kuadër të Ligës Unike.

Peja startoi mirë çerekun e parë duke e marrë me 21-15, ndërsa mysafirët përmbysën rezultatin në çerek të dytë me 15-27, në pjesë të dytë e cila shkoi thuajse barabartë, vendosën minutat e fundit derisa Dachon Burke shënoi 9 pikë për të kompletuar super paraqitjen e tij prej 33 pikëve, 4 asistimeve e 8 kërcimeve në fitoren me 6 pikë dallim, 75-81.

Një bllokadë e Urim Zenelajt në fund është treguar vendimtare, derisa qendra e Prizrenit shënoi 7 pikë, bëri 5 bllokada dhe 10 kërcime në lojë. Gjithashtu në ekipin e drejtuar nga Arbnor Rifati debutoi edhe Muhamedali Janjeva që erdhi prej Prishtinës (me një kalim një-mujor te Kamza në ndërkohë) për të shënuar 9 pikë e 6 kërcime, derisa luajti 33-minuta për ekipin e tij të ri që në ndeshjen e parë.

Te Peja nuk mjaftuan 14 pikët e Rodney Purvisit, derisa shutoi 4/8 për tri pikë, e Arti Hajdari dhe Jalen Tate dhanë nga 13 pikë!

Pas kësaj ndeshjeje Peja ka bilanc 8-1, ndërsa Prizreni 4-4. Pasi që ndeshja është e vlefshme edhe për Ligën Unike, aty Peja ia nis me 0-1 e Prizreni me 1-0.

Në anën tjetër Liga Unike sezonin e tretë të saj e ka nisur zbehtë! Gati se është arritur gjysma e muajit nëntor, ndërsa faqja zyrtare e ligës nuk ka orar të garave. Derisa shkruajnë emrat e ekipeve të Kosovës dhe Shqipërisë aty, orar nuk ka ende, ndërsa kjo e sontmja është llogaritur si ndeshja e parë e sezonit!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga