DANIEL LUTZ
Punë po, përforcime jo
3 January, 2014 @16:45
Në një bisedë me të përditshmen Koha Ditore, trajneri kroat i Pejës, Daniel Lutz, përveç tjerash ka bërë të ditur se preferon të punojë me lojtarët që i ka në dispozicion sesa të kërkojë përforcime.
Peja, kampionja në fuqi e Kosovës në basketboll, që e përfundoi gjysmëstinorin si lidere e Superligës me pikë të njejta sikurse Sigal Prishtina, nuk ka kaluar mirë në Balkan League, derisa nëse do të vinë transferet, ato do të jenë shumë cilësore.
Lutz është ithtar i punës dhe nëpërmjet saj të përmirësohen gabimet e jo të shkohet menjëherë në ndërrim të përbërjes. Sipas tij, basketbollistë të rinj do të vinë në Pejë, vetëm nëse janë mbi nivelin aktual dhe të përballueshëm për buxhetin e kampiones, ka shkruar sot e përditshmja Koha Ditore.
Peja fillon punën për gjysmëstinorin e mbetur brenda ditëve në vijim, derisa ndeshja e parë luhet në kuadër të Balkan League, ku verdhezinjtë presin Balkanin e Botevgradit.