FT: YLLI - RAHOVECI

Rahoveci fiton dramën në Suharekë, merr kreun në tabelë
28 February, 2021 @18:38
Skuadra e Rahovecit i ka dhënë fund serisë së zezë prej pesë humbjeve rresht në Superligë, duke e mposhtur Golden Eagle Yllin me rezultat 67-72 në një dramë të vërtetë që u zhvillua në Suharekë.
Ndeshja ishte shumë afër të shkojë në vazhdime pasi që Ylli kishte aksionin e fundit kur rezultati ishte 67-70, por mbrojtja e mirë e vreshtarëve e pamundësoi një tentim për tri pikë të kundërshtarit dhe me kundërsulm më pas nga Isiah Traylor u përcaktua rezultati final.
Në fakt, Rahoveci do të mund të kishte një finish më të lehtë kishte 6 pikë epërsi (61-67), por me pikët e Valon Bunjakut, Demetris Morant dhe Erjon Kastratit, fitorja e Rahovecit erdhi në pikëpyetje për një kohë duke u ngushtuar rezultati në vetëm një pikë 67-68.
Megjithatë, deri në fund të ndeshjes vreshtarët shfrytëzuan mirë avantazhin e krijuar dhe siguruan fitoren shumë të rëndësishme, që i bënë ata liderë të përkohshëm me një ndeshje më shumë.
Më i dalluari në fitoren e Rahovecit ishte Isiah Traylor me 16 pikë, derisa edhe Arian Qallaku, Alban Veseli, Marvin Jones dhe Altin Morina e mbyllën takimin me pikë dyshifrore.
Në anën tjetër, dyshja Erjon Kastrati dhe Valon Bunjaku ishin bartësit e lojës te Ylli, duke shënuar 19, përkatësisht 18 pikë. Ndërkaq, pllejmekeri Mitchell Wilbekin nuk u paraqit fare.
Vlen të ceket se kjo ishte fitorja e parë e Rahovecit me trajnerin e ri, Fotis Takianos.