BEFASI E DORËS SË PARË
Rahoveci “vjel” Pejën
16 February, 2023 @0:53
Për këtë arsye Kupa është gjë tjetër. Rahoveci, i fundit në renditjen tabelare të Superligës dhe me vetëm dy fitore përgjatë gjithë stinorit ka bërë befasinë e dorës së parë në Kupë të Kosovës duke e mposhtur Pejën në cerekfinale të Kupës së Kosovës, për të siguruar biletë për gjysmëfinale.
Vreshtarët kanë bërë gjithcka që është dashur për t’i gëzuar adhuruesit e tyre sonte, ndërsa Peja përkundër përforcimeve të reja dhe duke ardhur në Final 8 të Kupës prej fitores ndaj Prishtinës, është mposhtur me 11 pikë dallim, Peja 79-90 Rahoveci.
Dallimi në ndeshje u bë në cerekët tek të ndeshjes, derisa të parën Rahoveci i drejtuar nga Daniel Nelson e mori me 6 pikë dallim, 19-25 ndërsa të tretën me 7 pikë dallim, 18-25, për të shkuar te fitorja.
Kjo ka qenë edhe fitorja e parë e trajnerit irlandez të Rahovecit këtë stinor, ndërsa më meritori për këtë ka qenë Jack Pagenkopf me 23 pikë e 6 asistime, derisa Bardhi Rexha luajti me double-double prej 10 pikësh e 10 kërcimesh në fitoren e madhe të ekipit.
Peja e Can Sevimit nuk arriti t’i kundërvihet kundërshtarit sonte, ndërsa koshashënuesit më të mirë të ekipit në ndeshjen që doli të jetë përshëndetëse në Kupë për ta ishin David Joseph dhe Arian Qallaku me nga 17 pikë secili.
Rahoveci në gjysmëfinale ndeshet me Trepcën.