RIKTHEHEN GJIGANDËT
Real Madrid dhe CSKA para sigurimit të PlayOffit
28 February, 2017 @15:46
Pas gati një muaji pushim, vazhdon liga më e fortë e basketbollit europian, Euroliga, me duelet që luhen këtë mesjavë.
Dyshja udhëheqëse e ligës, Real Madrid (18-5) dhe CSKA Moska (17-6) matematikisht mund të sigurojnë vendet e tyre në Play-Off që këtë javë. Realit i duhet të fitojë Galatasarayin, por edhe në rast të humbjes, mund të sigurojë Play-Offin nëse Darussafaka mposhtet nga Panathinaikos.
CSKA Moska gjithashtu mund të sigurojë kualifikimin në Play-Off matematikisht, nëse e mposht Barcelonën e Justin Doellmanit të premten. Njejtë, edhe për CSKA-në, Darussafaka duhet të mposhtet nga Panathinaikos.
Dy duelet gjigande të xhiros XIV të Euroligës janë:
1. Maccabi Tel Aviv - Olympiacos, një duel klasik i gjigandëve të basketbollit europian, ku ndeshen ish-kampionët e kësaj gare, që këtë stinor nuk po kalojnë shumë momente të mira.
2. Barcelona - CSKA, dy skuadrat tjera të mëdha të Euroligës, që vetëm në këtë shekull janë ndeshur gjashtë herë në Final Four të kësaj gare. Kësaj radhe, Barcelona nuk është në formën më të mirë të saj dhe është në krizë të rezultateve, derisa CSKA po shpreson që të sigurojë që tash Play-Offin.
Para historisë:
Lideri i pikëve në Euroligë, Keith Longford (Unics Kazan), duhet të shënojë 11 pikë në ndeshjen e radhës për tu bërë lojtari më i shpejtë në histori që arrin shifrën e 500 pikëve të shënuara në një stinor. Longford po luan me mesatare prej 22.2 pikëve këtë stinor.