Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINAL FOUR | EUROLEAGUE

Real Madrid në finale të Euroligës, mposht Barcelonën

Foto: RMBasket/tw

Real Madrid në finale të Euroligës, mposht Barcelonën


19 May, 2022 @23:09

Finalisti i dytë i Final Fourit të Euroligës është Real Madrid, pasi që në Beograd sonte ka mposhtur Barcelonën, me një lojë të mirë të treguar veçanërisht në çerek të tretë të ndeshjes, kur bënë dallimin kryesor, për të fituar duelin ngushtë, Barcelona 83-86 Real Madrid.

Pas çerekut të parë të barabartë, 19-19, Barcelona ka bërë dallim të madh në çerek të dytë 26-15 për të shkuar në pushim me 11 pikë më shumë.

Por, në çerekun e tretë Real Madrid është rikthyer me 11-26 për të shkrirë epërsinë e katalonasve dhe për të bërë dallimin, që doli vendimtar në çerekun e fundit 27-26 për përfundimtaren 83-86.

Fabien Causeur me 18 pikë e 2 asistime, bashkë me Guerschon Yabusele me 18 pikë e 8 kërcime kanë qenë më efikasit në ekipin e Pablo Lasos, derisa me 15 pikë të tjera ka kontribuuar i përhershmi, Sergio Llull.

 

Te Barcelona e Sarunas Jasikeviciusit nuk ka mjaftuar double-double i Nikola Miroticit prej 26 pikëve dhe 12 kërcimeve, njëjtë sikurse edhe kontributi i Nicolas Laprovittolas me 17 pikë që luajti 3/6 me tri pikë.

Me këtë, Real Madrid do të luajë në finale të Euroligës ndaj kampionit aktual të Evropës, Anadolu Efes, që pak orë më parë eliminoi Olympiacosin në një dramë të sekondave të fundit.

E në El Clasicon që posa përfundoi, vetëm 16 sekonda para fundit të ndeshjes rezultati ishte 81-82 në të mirë të madrilenëve, të cilët me pikët e Adam Hangas nga gjuajtjet e lira bënë rezultatin 81-84.

Kur mbetën edhe 7 sekonda lojë, Dante Liman Exum minimizoi përsëri epërsinë e madrilenëve në një pikë, pasi që shënoi për 83-84, ndërsa pas gjuajteve të lira të Sergio Llullit (1/2) dhe Yabusele Guerschonit (1/2) në sekondën e fundit Nikola Mirotic nuk arriti të çojë ndeshjen në vazhdime, pasi që tentimi i tij për tri pikë, nuk qëlloi koshin!

 

 


 
Të gjitha lajmet nga Euroleague