ARBNOR RIFATI
Rifati: Mungesa e Josh Martin ndikoi në humbje
30 April, 2021 @19:13
Ponte Prizreni sot pësoi humbje me rezultat të thellë ndaj Pejës në ndeshjen e tretë të gjysmëfinales së Play Off-it, duke u mposhtur me rezultat 108-85.
Sipas trajnerit të Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, një ndër faktorët kryesor në këtë humbje ishte edhe mungesa e qendrës Josh Martin, i cili nuk luajti për shkak të një lëndimi.
“Fillimisht uroj Pejën për fitoren e merituar. Ne kishim mungesën e Josh Martinit, i cili pas ndeshjes së fundit pati ankesa në gju dhe ne bëmë gjithçka që ai të jetë në terren. Por fatkeqësit nuk mundi. Kështu që ne ishim të hendikepuar kundër një skuadre që luan me tri qendra.
Ne kishim kapital minimal me dy qendra deri më tani, ndërsa sot ishim vetëm me Urim Zenelajn. Ky nuk është një justifikim për rezultatin e thellë, lojtarët e mi nuk e deshën sot fitoren. Peja tani me një këmbë është në finale, por ne nuk do të dorëzohemi. Do të synojmë ta kthejmë Martinin në ndeshjen e ardhshme dhe të fitojmë për ta cuar serinë në ndeshjen e pestë në Prizren”, tha Rifati për Art Sport.
Ndeshja e radhës mes Pejës dhe Ponte Prizrenit luhet të dielën në Pejë. Rezultati aktual në seri është 2-1 për Pejën.