PEJA - PONTE PRIZRENI
Peja bindëse, me 108 pikë ndaj Ponte Prizrenit
30 April, 2021 @18:33
Peja ka shënuar fitore të lehtë dhe të merituar në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale të Play Off-it përballë Ponte Prizrenit.
Ekipi verdhezi dominoi në shtëpinë e tij në “Karagaç”, duke i mposhtur prizrenasit me rezultat të thellë 108-85.
Vendasit kishin mbizotërim në lojë që nga çereku i parë, ndërsa kulmin e arritën në çerekun e tretë kur u shkëputën në rezultat.
Te Ponte Prizreni në këtë ndeshje mungoi Josh Martin, i cili vuan nga një lëndim.
Mungesa e tij i konvenoi më së shumti qendrës së Pejës, Brandon Walters, i cili arriti me lehtësi t’i shmangej mbrojtjes së krijuar vetëm nga Urim Zenelaj.
Walters ndeshjen e mbylli me 29 pikë dhe 17 kërcime, duke u bërë lojtari më i mirë i ndeshjes. Lojë të mirë pati edhe Dardan Berisha që shënoi 22 pikë, prej tyre 6 treshe.
Në anën tjetër, te Ponte Prizreni Kwame Vaughn ishte më i miri me 30 pikë të shënuara.
Peja tani avancon në serinë gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 2-1 dhe i nevojitet vetëm edhe një fitore për të shkuar në finale.
Ndeshja e radhës e serisë ndërmjet Pejës dhe Ponte Prizrenit do të luhet përsëri në Pejë.