DRILON HAJRIZI
S’guxojmë të dëshpërohemi
18 May, 2016 @10:43
Drilon Hajrizi ka pranuar se Prishtina ka luajtur më mirë mbrëmë, kur barazuan serinë në 2-2 ndaj Pejës.
Sidoqoftë, ai ka thënë se ekipi i tij do të përgatitet për titull në “Karagaç” në ndeshjen vendimtare të finales.
“Prishtina luajti më mirë, nuk na lejoi që nga çereku i dytë, ku edhe ishte momenti i thyerjes së ndeshjes. Sidoqoftë ne nuk guxojmë të dëshpërohemi, por duhet të përgatitemi në mënyrë që në fundjavë në ‘Karagaç’ ta ngremë titullin e kampionit para tifozëve tanë. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak lehtë, por edhe jemi të bindur se ndeshja e katërt nuk guxon të na përsëritet më,” ka thënë Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së, basketbolli.com.
Peja ka përparësinë e terrenit vendas dhe ndeshja e pestë e serisë do të zhvillohet në “Karagaç”. Fituesi i kësaj ndeshjeje shpallet kampion i Kosovës.