KAPITENI I PRISHTINËS
Loja më e mirë e finales
18 May, 2016 @10:36
Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, ka thënë se ekipi i tij ia ka arritur qëllimit kur mbrëmë ka treguar lojën më të mirë të serisë finale ndaj Pejës.
Sigal Prishtina mposhti shumë lehtë Pejën në ndeshjen e katërt për të barazuar serinë në 2-2 dhe tashmë gjithçka pritet të vendoset në Pejë, kur luhet ndeshja e fundit e serisë.
“Ne hymë në parket për të treguar lojë më të mirë se në tri ndeshjet e para dhe e bëmë këtë falë mbrojtjes së fortë, e cila edhe na e solli fitoren. Falë mbrojtjes së mirë, gjërat na u bënë më të lehta në fazën e sulmit. Në këtë takim ne nuk e lejuam Pejën ta luaj lojën e saj dhe kjo bëri që ata të dalin totalisht jashtë sistemit të tyre. Jam shumë i kënaqur që ia dolëm së pari të fitojmë, por edhe të luajmë mirë para tifozëve tanë të flaktë,” ka thënë Azemi pas ndeshjes së mbrëmshme për faqen zyrtare të FBK-së, basketbolli.com.
Përballja e radhës ndërmjet Pejës dhe Prishtinës luhet në “Karagaç”. Seria aktuale është barazuar në 2-2 ndërsa fituesi i ndeshjes së radhës shpallet kampion i Kosovës.