DION SHEQIRI
Sheqiri: Do të mundohem të mësoj sa më shumë nga lojtarët me përvojë
15 February, 2021 @16:06
Basketbollisti shtatlartë, Dion Sheqiri, është ftuar për herë të parë në përfaqësuesen A të Kosovës.
Ai është grumbulluar me dardanët për dy ndeshjet parakualifikuese për Kampionatin e Botës që do të luhen ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë në Prishtinë.
Sheqiri, lidhur me ftesën e parë në përfaqësuese tha se nuk e ka pritur, ndërsa këtë mundësi do ta shfrytëzojë në maksimum për të mësuar sa më shumë nga lojtarët me përvojë.
“Nuk e kam pritur ftesën, por kam punuar shumë për të arritur këtu. Këtu do të mundohem të mësoj sa më shumë në stërvitje prej lojtarëve me eksperiencë më të madhe si Dardani, Albani, Driloni dhe po ashtu edhe nga trajneri. Besoj se do të jap maksimumin dhe pse jo të jem në listën e ngushtë në 12-she në lojërat kundër Sllovakisë dhe Luksemburgut,” tha 18-vjeçari për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai tutje foli edhe për gjasat e Kosovës për dy ndeshjet në fjalë, duke shtuar se synimi do të jetë fitorja edhe pse rivalët kanë cilësi të lartë.
“Luksemburgu dhe Sllovakia janë ekipe të forta dhe kanë lojtarë të mirë. Por ne do të mundohemi të japim maksimumin dhe të fitojmë të dyja ndeshjet,” tha ai.
Sheqiri është 208 centimetra i gjatë dhe luan në pozitën e qendrës tek skuadra e tij italiane, Trieste. Ai së bashku me Denis Zenelajn janë grumbulluar për herë të parë me Kosovën, duke u bërë pjesë e listës prej 16 lojtarëve.
Për ndryshe, dardanët do të luajnë ndeshjen përballë Luksemburgut më 18 shkurt dhe përballë Sllovakisë më 20 shkurt.