PEJA - TREPÇA

Shpërthim në çerekun e fundit, Trepça në krye të Superligës
18 November, 2021 @20:48
Ndeshja përmbyllëse e xhiros së XI të Superligës së Kosovës në basketboll, që u luajt mes Pejës dhe Trepçës në “Karagaç”, në fund përfundoi me rezultat 87-93 në të mirë të skuadrës mysafire.
Përballja ishte mjaft interesante dhe fituesi nuk dihej deri në momentet e fundit të ndeshjes, por në çastet vendimtare më e përqëndruar u tregua skuadra Trepça, që në fund doli ngadhënjimtare.
Çereku i parë i ndeshjes përfundoi 20-28 për mitrovicasit, e pejanët në lojë u rikthyen pas çerekëve dy dhe tre, të cilët i mbyllën me epërsi: 33-23 dhe 25-18. Kështu, skuadrat në çerekun e fundit hynë pranë rezultatit 78-69 në të mirë të pejanëve.
Megjithatë, kjo epërsi nuk i mjaftoi Pejës për fitore. Mitrovicasit në çerekun e katërt ishin thjesht të pandalshëm dhe kthyen gjithçka në anën e tyre, për ta fituar ndeshjen. Në 10-minutëshin vendimtar, “xehetarët” shënuan plot 24 pikë, ndërkohë që pranuan vetëm 9, e kjo padyshim që ndikoi në fitore.
Te skuadra pejane sonte për asnjë minutë nuk luajti Dardan Berisha, ndonëse ishte në 12-she, e rolin e liderit te kjo skuadër e mori basketbollisti amerikan White. Në debutimin e tij te Peja, Tryone White ishte fantastik. Ai luajti me 32 pikë, 13 kërcime, 7 asistime e 3 vjedhje të topit. Përveç tij, te pejanët u veçua edhe Stephen Maxwell me 24 pikë, 9 kërcime e 2 asistime,
Sa i përket Trepçës, Taurus Cockfield Jr. me 25 pikë, 2 kërcime e 2 asistime ishte më i miri. Pas tij, koshashënuesi më i mirë te Trepça ishte Drilon Hajrizi me 15 pikë.
Ndonëse ka një ndeshje më pak se Ylli, Trepça i prin Superligës momentalisht, e Peja për momentin ka bilanc 6-5.