Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

YLLI - TREPÇA

Shpërthim në çerekun e tretë, Ylli mposhtë Trepçën

Foto: FBK

Shpërthim në çerekun e tretë, Ylli mposhtë Trepçën


27 October, 2021 @20:50

Me fitore të Yllit ka përfunduar ndeshja e sontme e luajtur në Suharekë mes Yllit vendas dhe Trepçës mysafire.

Kjo është hera e parë që Ylli e mposhti Trepçën këtë sezon, pasi që deri më tash këtë sezon Trepça e kishte mposhtur 4 herë Yllin (2 miqësore, 1 ndeshje në ligë dhe 1 në Superkupë).

Mitrovicasit ishin më të mirë vetëm në çerekun e parë të ndeshjes, e pjesa tjetër e ndeshjes i takoi suharekasve, të cilët e mbyllën ndeshjen me fitore me rezultat 91-68.

Çereku i parë u mbyll me epërsi të mysafirëve (23-29), e më pas Ylli u përmirësua në çerekun e dytë (20-11), dhe kështu skuadrat në pushim shkuan me rezultat të ngushtë 43-40.

TABELA AKTUALE

Pjesa e dytë i takoi e gjitha Yllit, që aplikoi mbrojtje shumë të mirë dhe sulme efikase, për ta mbyllur kështu ndeshjen me fitore, që është e katërta sezonale për të, krahas katër humbjeve që i ka. Vendimtar në thellimin e epërsisë së Yllit ishte çereku i tretë, në të cilin Ylli shpërtheu, duke shënuar 29 pikë, e duke pranuar vetëm 12.

Në anën tjetër, Trepça pas 7 ndeshjeve të luajtura ka 5 fitore dhe 2 humbje.

Sa i përket lojtarëve të dalluar, sonte te Ylli Mikaile Tmusic ishte koshashënuesi më i mirë me 21 pikë, krahas 7 kërcime e 5 asistimeve që i pati, ndërkohë që paraqitje të mira treguan edhe Cameron Williams (20 pikë, 10 kërcime, 5 asistime) dhe Ardit Pepaj (20 pikë, 2 kërcime).

Te Trepça sonte më të mirët ishin Drilon Hajrizi (19 pikë, 2 kërcime, 2 asistime) dhe Amin Hot (17 pikë, 9 kërcime, 7 asistime).

Xhiron që vjen, Ylli luan si mysafir i Bashkimit, kurse Trepça si mysafire e skuadrës Prizreni-16.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga