PËRFORCIMET
Si debutuan të ardhurit?
27 March, 2014 @13:14
Sigal Prishtina bëri dy, derisa Peja një përforcim para ndeshjeve të tyre të fundit të stinorit të rregullt në ligën ballkanike.
Qendra letoneze, Andrejs Selakovs dhe organizatori amerikan Jamar Diggs ishin përforcimet e Marin Dokuzovskit me Sigal Prishtinën para ndeshjes me Levskin, derisa Pejës iu duk e mjaftueshme ardhja e Carl Jones për duel me Balkan Botevgradin.
Tashmë, pasi që rezultatet dihen të këtyre ndeshjeve - bëjmë një vlerësim statistikor se sa ndihmuan të ardhurit e fundit në ekipet e tyre në fitore e humbje të ekipeve përkatëse.
Selakovs, 1 pikë
Qendra letoneze që erdhi nga Ukraina, Selakovs, fitoi 13 minuta nga Dokuzovski mbrëmë. Ai në këto 13 minuta shënoi vetëm 2 pikë, krahas dy kërcimeve dhe shut prej saktësie 1 e shënuar nga 3 tentime. Vlerësimi i përgjithshëm i tij në këtë ndeshje në baza statistikore për minutat e kaluara në parket në fitoren e ekipit të tij ka dalë të jetë - 1 pikë efiçencë, vlerëson faqja basketbollistike Eurobasket.
Diggs, -1 pikë
Sa i përket amerikanit Diggs që erdhi nga liga qipriote në Prishtinë - ai pati rezultatin -1 (minus një). Dhjetë minutat e kaluara në fushë për të dhe një trepikësh i shënuar nga dy tentime, derisa asnjë nga tentimet për dyshe, ishin baza që sollën këtë rezultat vlerëson faqja në fjale.
Jones, 4 pikë
Sa i përket Jonesit që erdhi në Pejë dhe nuk dihet nëse do të qëndrojë ende aty, pasi që ekipi i tij u eliminua nga liga ballkanike - ai morri rezultatin më të mirë nga të ardhurit e fundit.
Jones kishte rezultatin efektiv 4 në 11 minutat e shfrytëzuara që i dha trajneri Slobodan Savovic (tashmë ish trajneri i Pejës). Ai shënoi 6 pikë në ndeshje me saktësi 50% të shutit duke qëlluar 3 herë nga 6 tentime, derisa për tresh nuk provoi asnjëherë. Jones u dallua edhe me dy topa të vjedhur në ndeshjen që Peja e humbi nga Balkan Botevgrad.
Ky ka qenë vlerësimi i përgjithshëm statistikor për treshen në fjalë, të ardhur rishtazi në Kosovë për t’i ndihmuar ekipeve përkatëse.
Derisa dyshja që janë në Sigal Prishtinë, pritet të qendrojnë ende në kryeqytet për shkak se ekipi i tyre nxorri kualifikimin në Final Four, ai i Pejës pritet të jetë në një ‘betejë’ disa ditëshe me Mario Edwardsin për të cilin përflitet më së shumti se do të mund të largohej nga Peja, pasi që ekipet në Superligë kanë të drejtë të kenë vetëm katër basketbollistë të huaj në ekip.