PARA NDESHJES
Sonte, Lituania - Kosova
Teksti: FBK
26 February, 2018 @12:54
Sot me fillim nga ora 18:30, Kosova do të përballet me Lituaninë, në ndeshjen që do të zhvillohet në qytetin Klaipeda.
Basketbollistët tanë të dielën i kanë zhvilluar dy seanca stërvitore në Klaipeda, si dhe të hënën në mëngjes të fundit para duelit me lituanët.
Kosova kundër Lituanisë do të paraqitet pa kapitenin Dardan Berisha, i cili për shkak të lëndimit të muskulit të prapmë të këmbës është dashur të largohet nga kampi i Përfaqësueses për t’u kthyer në Çeki, ku edhe do të vazhdoj rehabilitimin tek ekipi i tij Basketball Nymburk.
Berisha është lënduar në duel me Poloninë, të premten në Wloclawek, ku Kosova ka pësuar humbje me rezultat 90:62. Në këtë ndeshje është lënduar edhe alo-qendra Lis Shoshi, i cili e ka lënduar hundën. Ky i fundit megjithatë do të paraqitet në duelin e sotëm.
ORARI, NDESHJET DHE TABELA
Në ballafaqimin e parë të luajtur në Prishtinë ndërmjet Kosovës dhe Lituaninë, fitore bindëse ka regjistruar kjo e fundit me shifrat 99:61.
Lituania zë vendin e pestë në renditjen botërore të FIBA-s dhe është favorite karshi Kosovës, duke marr parasysh faktin se bëhet fjalë për një superfaqi të basketbollit në nivel botëror.
Përballjen në mes Lituanisë dhe Kosovës mund ta ndiqni drejtëpërdrejtë në RTK dhe në SuperSport Kosova.
Përfaqësuesja e Kosovës është pjesë e Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Hungarinë, Lituaninë dhe Poloninë.
Dritarja e Tretë e kualifikimeve evropiane do të zhvillohet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, ndërsa Kosova i pret në Prishtinë, së pari Hungarinë dhe më pas Poloninë.