KROACIA-RUMANIA
Kroacia, si Kosova në kualifikime - pa fitore ende
24 February, 2018 @18:14
Përkundër historisë së mahnitshme në basketboll, jo vetëm evropian por edhe atë botëror, Kroacia, besoni apo jo, ende nuk ka shënuar fitore në kualifikime për Botërorin Kina 2019.
Pas humbjeve nga Holanda dhe Italia në duelet e nëntorit të kaluar, kroatët janë mposhtur mbrëmë në shtëpi edhe nga Rumania me rezultat të ngushtë 56-58.
Palestra Kresimir Cosic ishte përplotë me adhurues basketbolli në Zarë, ndërsa lojtarët kroatë nuk kanë arritur përsëri të sigurojnë fitoren për vendin e tyre.
Jutarnji List në faqen sportive ka dalë me titull sot: Thuajse sigurt nuk jemi në Botëror!
TABELA AKTUALE E KUALIFIKIMEVE
Edhepse pjesa e parë (28-21), posaçërisht çereku i dytë (12-5) dha shpresa për Kroacinë, në çerekun e tretë rumunët shënuan pak më shumë (10-16) për të kapur epërsinë, e në fund të dyja skuadrat nuk ishin në nivel të gjuajtjeve të lira, ndërsa në sulmin e fundit treshja kroate nuk gjeti koshin për gëzimin e madh rumun, që morri fitoren e dytë në Grupin D kualifikues.
“Autsajderët shokuan tribunat kroate” - ka shkruar ndër të tjera artikulli i Sportske Novosti, derisa qendra rumune Emanuel Cate ka qenë njeriu që me 13 pikë e 14 kërcime, regjistroi paraqitjen më të mirë te mysafirët.
Mundi i alo-qendrës kroate, Hrvoje Peric, me 19 pikë e 12 kërcime shkoi kot, derisa lojtari tjetër që u dallua ishte Luka Zoric me 11 pikë.
Pas tre ndeshjeve të para në Grupin D, Kroacia është ende pa fitore. Ka bilanc 0-3, ndërsa të hënën mbrëma pret Holandën.