SUEDIA-TURQIA
Rekord shikues, fitore historike e Bosnicit me Suedinë
24 February, 2018 @17:29
Numër rekord i spektatorëvë në një ndeshje të reprezentacionit suedez në basketboll (7 mijë e 500; Hovet Arena, Stockholm) dhe Suedia ka bërë befasinë më të madhe të ditës në kualifikime për Botëror.
Të drejtuar nga ish-lojtari i dikurshëm i Bashkimit dhe Pejës, Vedran Bosnic, Suedia ka shënuar fitoren e parë në Grupin B kualifikues për Botëror, duke e mposhtur Turqinë, që deri dje s’dinte për humbje në këtë grup.
Ndeshja ka qenë mjaft dramatike, posaçërisht në fund, kur Turqia përmes Melih Mahmutoglut afrohet krejtësisht me rezultat, por në fund, turqit dështojnë të shënojnë në sulmin e fundit dhe fitorja 59-58 i takoi Suedisë.
E rezultati tregoi luftën e madhe në mbrotje që u bë gjatë ndeshjes, të cilën e konfirmoi në fund edhe Bosnic me deklaratë pas ndeshjes.
TABELAT AKTUALE DREJT BOTËRORIT
“Mendoj se kjo është ndeshja më e mirë në histori të Suedisë, sa i përket mbrojtjes. Kemi luajtur ndaj një ekipi të jashtëzakonshëm, që e respektoj shumë. Lojtarët i falenderoj që kanë respektuar planin e lojës dhe kanë ruajtur fokusimin prej sekondës së parë deri në atë të fundit të ndeshjes. Ne nuk mund ta fitojmë Turqinë, veçanërisht këtë Turqi, çdo ditë. E për ne kjo, në Suedi, është shumë-shumë e madhe për basketbollin,” ka thënë Bosnic, që solli fitoren e parë të Suedisë në grupin kualifikes dhe shpresën për kualifikim më tutje për vendin.
Përndryshe, për adhuruesit e detajuar të basketbollit, me fanellën e Suedisë u paraqit edhe ish-lojtari i Sigal Prishtinës, Thomas Massamba, që ka pasur aventurë të shkurtë te kampioni i Kosovës në mars të vitit 2016.
Massamba në këtë ndeshje ka qenë ndër kryesorët në fushë, duke qëndruar 32 minuta aty, me 7 pikë e 4 asistime. Ndërsa hero i ndeshjes ka qenë Nick Spires me 16 pikë, 6 kërcime dhe 6 bllokada!
Statistikisht, turqit humbjen ia adresuan mossaktësisë së tyre nga vija e gjuajtjeve të lira, ku kanë dhënë vetëm dhjetë nga 20 tentime.
Te Turqia u paraqit edhe djaloshi me origjinë nga Prishtina, Kenan Sipahi. Në 20 minuta sa ishte në lojë ai, shënoi 10 pikë, dy asistime dhe dy kërcime.
Pas kësaj ndeshjeje, Suedia do të kërkojë tash fitore ndaj Ukrainës të hënën. Ndërsa turqit do të kërkojnë përmirësim në lojën e tyre, në Letoni, të hënën mbrëma gjithashtu.