STINORI PRANVEROR
Superliga starton me duele interesante
21 January, 2017 @13:14
Që nga dita e sotme, Superliga e Kosovës në basketboll nis stinorin e saj pranveror.
Në program për sot janë 3 ndeshje, kurse ndeshja e fundit e xhiros luhet nesër në Therandë mes Yllit e Pejës.
TREPÇA - VËLLAZNIMI
Dueli i parë i ditës luhet me fillim nga ora 17:00 në ‘Minatori’ të Mitrovicës, ku Trepça, që vjen pas humbjes ndaj Pejës në Ligën Ballkanike, pret skuadrën e Vëllaznimit. Skuadra gjakovare ka larguar treshen bartëse të skuadrës në stinorin vjeshtor, Matoshi-Qallaku-Kovaqi, derisa është përforcuar me Musab Malën pikërisht nga skuadra e Trepçës, skuadër e cila është favorite absolute në këtë takim. Të dyja ndeshjet e luajtura në pjesën e parë të sezonit janë fituar nga Trepça.
RAHOVECI - KERASAN PRISHTINA
Në takimin e dytë të ditës së sotme, Rahoveci pret skuadrën e Kerasan Prishtinës me fillim nga ora 18:00, takim në të cilin Rahoveci është favorit absolut për fitore.
BASHKIMI - SIGAL PRISHTINA
Ndeshja kryesore e xhiros luhet në Prizren, me Bashkimin që pret skuadrën e Sigal Prishtinës. Të dyja skuadrat janë përforcuar këtë afat kalimtar, prandaj ndeshja e sontme pritet të jetë mjaft interesante. Në 4 takimet e luajtura sivjet mes dy skuadrave (përfshirë edhe duelet në Ligën Ballkanike), bilanci është i barabartë, 2-2.
Takimi nis në ora 19:00 në ‘Sezai Surroi’.