PAS LARGIMIT TË MARJAN ILIEVSKIT
Sylejmani e Shatri drejtojnë ekipin ndaj Kozuvit
8 December, 2015 @13:23
Dyshja e trajnerëve Albert Sylejmani dhe Fikret Shatri do të drejtojnë Sigal Prishtinën nesër në përballjen që ekipi kampion i Kosovës dhe i BIBL do ta zhvillojë ndaj Kozuvit në Gjevgjeli.
Sylejmani dhe Shatri janë një kohë të gjatë si ndihmës trajner në ekip dhe tashmë me largimin e Marjan Ilievskit nga detyra e trajnerit kryesor, dyshja në fjalë do të merr udhëheqjen e ekipit derisa të vendoset për trajnerin e ri të skuadrës, ka bërë të ditur Genc Neziri, zyrtar për media në KB Prishtina sot për Borozani.com.
Sigal Prishtina nesër do të zhvillojë ndeshjen e katërt në Grupin A të BIBL ndaj Kozuvit si mysafir. Sigal Prishtina deri më tani ka 2 fitore dhe 1 humbje nga tre ndeshjet e para, ndërsa disfatën e vetme kampionit aktual të BIBL ia shkaktoi Mornari i Tivarit në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.