JAKŠA VULIĆ - TRAJNER I RI I PRISHTINËS!
Sylejmani nuk vazhdon si kryetrajner, KB Prishtina merr ish-trajnerin e Cibonës
12 January, 2024 @11:03
Rekord-kampionia e Kosovës në basketboll, KB Prishtina ka bërë të ditur mbrëmë se ka angazhuar trajnerin kroat Jaksa Vulic si kryetrajner të ekipit për pjesën e mbetur të stinorit.
Vulic 59 vjeçar së fundi ka qenë trajner i Cibonës në PremijerLigën kroate, ndërsa ata i la me bilanc 9-2 në elitën e basketbollit vendor, ndërsa 0-3 në ABA ligë. Vulic u nda nga Cibona në dhjetor të vitit që e lamë pas.
“Trajneri i mirënjohur kroat, Jaksa Vulić, nga Cibona në Prishtinë
Klubi ynë ka arritur marrëveshje për drejtimin e skuadrës me trajnerin kroat, Jaksa Vulić.
Vulić së fundmi ishte kryetrajner i Cibonës së Zagrebit, Cedevitës në Kroaci, si dhe më herët ka drejtuar skuadra të njohura në Slloveni e Bosnje, me të cilat u shpallë kampion dhe fitoi çmime si trajneri më i mirë.” — shkroi KB Prishtina në njoftim.
Vulic do të jetë trajneri i tretë që do të merr timonin e Prishtinës këtë stinor, pasi që ekipi nisi stinorin me lituanezin Zydrunas Urbonas, ndërsa e vazhdoi me Albert Sylejmanin. Sipas këtij të fundit, Prishtina i kishte ofruar vazhdimin e mbetjes në detyrë ku kishte marrë klubin si ndihmës i Urbonasit, për të vazhduar me bilanc shumë të mirë, por Sylejmani për shkak të angazhimeve tjera nuk e kishte pranuar detyrën.
Urbonas la Prishtinën me bilanc 5-5, ndërsa Sylejmani regjistroi vetëm një humbje me bardhekaltërit sa qëndroi në krye të ekipit me bilanc 5-1! Trajneri Albert lëshoi edhe një sqarim mbrëmë në llogarinë e tij të Facebookut.
“SQARIM: Të nderuar qytetarë të Prishtinës, tifozët më të mirë “PLISAT”, dhe adhurues të basketbollit,
Nëpërmjet këtij shkrimi dëshiroj të ju njoftoj që KB. Sigal Prishtina, ka arritur marrëveshje me një trajner të ri pas refuzimit tim që edhe më tutje të jem në krye të shtabit teknik si kryetrajner.
Kur klubi ka pasur më së shumti nevojë me shumë kënaqësi ju kam bashkangjitur edhe përkundër shumë obligimeve personale.
Dëshiroj të ju njoftoj që e kam të pamundur të pranoj një përgjegjësi të tillë edhe më tutje për shkak të angazhimeve të shumta që kam.
Rikthimi im në klub ka ndodhur në një periudhë jo të lehtë për klubin për shkak të rezultateve të dobëta, dhe me marrjen e detyrës nga ana ime gradualisht kemi filluar të kemi ngritje të performancës dhe përmirësim të rezultateve!
U jam përjetësisht mirënjohës presidentit Blerand Stavileci, drejtorit gjeneral Luan Maloku dhe anëtarëve të bordit për besimin e dhënë!
Unë do të vazhdoj të jem pjesë në stafin e trajnerëve për aq sa udhëheqësit e shohin të nevojshme që të jem pjesë e klubit.
Ju falenderoj të gjithëve nga zemra për mesazhet e shumta dhe përkrahjen që nuk e kam përjetuar më parë!” — bëri të ditur Albert Sylejmani.
Kroati Vulic merr Prishtinën nga xhiroja e 17. e Superligës ndërsa të shtunën (nesër) pritet të debutojë në bankë të ekipit bardhekaltër në ndeshje ndaj Yllit. Ai merr ekipin me bilanc 10-6 nga pozita e katërt, bilanc ky i njëjtë sikurse që e ka edhe kundërshtari i nesërm.