TERMINI I NDESHJES SË PARË

Të enjten, nis seria gjysmëfinale Prishtina - Trepça
10 April, 2023 @20:15
Sot u përcaktua termini edhe për ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale të liderit të stinorit të rregullt, Prishtina dhe fituesit të Kupës, Trepça.
Të enjten më 13 prill me fillim prej orës 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve është paraparë të luhet ndeshja e parë e serisë gjysmëfinale, ndërsa Prishtina ka epërsinë e terrenit vendas në këtë seri për shkak se ka kryer stinorin e rregullt në krye të renditjes.
Për shkak se mbylli stinorin e rregullt në vend të parë, Prishtina e drejtuar nga Ahmet Kandemir shkoi direkt në gjysmëfinale, ndërsa Trepça si e katërta në renditje të stinorit të rregullt është dashur të luajë çerekfinale, ku mposhti Bashkimin 2-0 në seri. Në ndeshjen e parë nuk shkoi asgjë pritur për Trepçën, pasi që vështirë kaloi ekipin prizrenas, por në ndeshjen e dytë xehetarët luajtën lojën e tyre dhe shkuan shpejt te fitorja.
Ndeshjet gjysmëfinale luhen në sistemin 1-1-1-1-1, që do të thotë vajtje-ardhje, pra një në Pallatin e Rinisë, një në Minator, derisa njëri ekip të arrijë tri fitore. Skuadra e parë që arrin tre fitore, do të sigurojë finalen e PlayOffit të Superligës dhe do të luftojë për titullin kampion të edicionit 2022/23 të Superligës. Ylli është kampion aktual i Superligës.