NDESHJA E MBETUR
Të mërkurën, Drita luan ndeshjen e mbetur
16 September, 2024 @22:11
Skuadra e Dritës, që nuk luajti xhirot e para të stinorit për shkak të angazhimeve në kualifikime për Ligë të Konferencës, ka bërë të ditur se këtë të mërkurë do të zhvillojë ndeshjen e mbetur të xhiros së parë të stinorit të Superligës, ndaj Malishevës.
Ekipi i drejtuar nga Zekirija Ramadani pret atë të Bekim Isufit më 18 shtator me fillim prej orës 15:00 në Gjilan, në stadiumin ndihmës. Deri tash, Drita ka luajtur vetëm 2 ndeshje nga 5 xhirot e para të zhvilluara të stinorit dhe prej kësaj jave nis plotësimin e ndeshjeve që i ka lënë pas.
Përndryshe, Drita ka 3 pikë nga 2 ndeshje të luajtura deri tash dhe është e nënta në tabelë, ndërsa Malisheva nga 4 ndeshje të luajtura ka 10 pikë, duke qenë ndër dy ekipet e vetme në Superligë pa humbje nga 5 xhirot e para.