VËZHGUESI
Tërhiqet edhe Kasapolli
31 March, 2014 @21:34
Njëri ndër punëtorët shumëvjeçar të dalluar të basketbollit, Jakup Kasapolli, ka bërë të ditur ekskluzivisht për Borozani.com se tërhiqet nga lista e vëzhguesve të basketbollit.
“Ngjarjet e fundit në basketbollin kosovar si dhe lëvizjet në Shoqatën e Gjyqtarëve të FBK-së, ku unë isha (de jure) njëri prej numrave në listën e vëzhguesve të këtij asociacioni nga fillimi i stinorit 2013/14, por nuk isha (de fakto), e shoh të arsyeshme të tërhiqem nga ky ‘aktivitet’, pasi mendoj se krijohen mundësi dhe hapësirë më e mirë për të gjithë të tjerët që basketbollin e ‘kanë për qejf dhe zemër’. Nepotizmi i skajshëm, presioni i vazhdueshëm mbi Komesarin e Garave, zaptimi i listave të gjyqtarëve dhe vëzhguesve nga ata që nuk dhanë kurrë asgjë në të kaluarën për basketbollin kosovar, as si trajner, as si gjyqtar, e as si punëtor e aktivist të basketbollit, por që sot janë ‘ajka’ e saj, e shoh si të nevojshme dhe reale vendimin për tërheqjen time nga ky asociacion, sepse prania ime aty si numër - nuk ka kuptim,” ka thënë në mesazhin e dërguar në faqe të Borozani.com vetë Jakup Kasapolli duke bërë të ditur vendimin e tij.
Kjo është goditja e radhës që vjen për ndarësit e drejtësisë dhe vëzhguesit e Superligës - të cilët po tërhiqen në masë të madhe nga Shoqata, që ia nisi me moskalimin e testit nga Alban Vula e Arbnor Rifati, pas së cilës erdhi edhe largimi i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe Vëzhguesve të Prizrenit si grup, derisa sot gjithashtu edhe Remzi e Fisnik Ramadani kanë bërë të ditur në media të shkruara për largimin e tyre, si vëzhgues e refer, përkatësisht.