Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BARAZOHET SERIA

Trepça barazon serinë në lojë të fortë e atmosferë për lakmi

Fotot: FBK

Trepça barazon serinë në lojë të fortë e atmosferë për lakmi


16 April, 2023 @22:30

Trepça ka barazuar serinë gjysmëfinale të PlayOffit ndaj Prishtinës, duke fituar ndeshjen e dytë të serisë 77-68! Një ndeshje e kaluar në një atmosferë impozante, ndërsa publikut në Minatori - secili duhet t’i falenderohet për atmosferën e krijuar, që i jep shije basketbollit kosovar dhe tregon se është sporti më i ndjekur në vend të ngjarjes.

Në lojë, Trepça çerekun e parë e kaloi me 10 pikë dallim, 21-11. Në të dytin ndeshja shkoi si barabartë, 20-21. Kurse në të tretin prapë minatorët bën dallim të madh, 24-12! Rezultati i njëjtë por për ekipin tjetër u arrit në çerekun e fundit 12-24. Mirëpo, Trepça kishte krijuar avantazh të mjaftueshëm deri në periudhën e fundit, prandaj ekipi s’hyri në rrezik të madh në çerekun e katërt, për të arritur te fitorja komode.

Ken Brown

Will Daniels dha 20 pikë, bëri 9 kërcime dhe 1 asistim në fitore. Ai ishte koshashënuesi më i mirë i Trepçës në këtë fitore. Andrew Gordon dha 12 pikë dhe bëri 2 kërcime, derisa Jamal Artis dha 11 pikë e Erjon Kastrati 10 të tjera në fitore. Tejet të rëndësishme janë treguar edhe pikët e Musab Malës. Ai luajti afro 12 minuta, por dha 8 pikë, prej të cilave dy treshe në momente zgjeruese të epërsisë, duke i dhënë xehetarëve hov drejt fitores.

Te Prishtina Derrick Wilson dha 19 pikë, bëri 3 asistime e 7 kërcime. Jan Palokaj ka dhënë 14 pikë, ndërsa shutoi 4/7 për tri pikë. E Dardan Berishës nuk i ndezën snajperët sonte. Ai kreu lojën me 12 pikë, 3 asistime e 3 kërcime, por shutoi 1/8 për tri pikë.

Trepca vs. Prishtina

Fitorja ka bërë që Trepça të merr një elan për ndeshjen e tretë që luhet në Prishtinë. Seria vazhdon në kryeqytet, ndërsa Trepça nëse do të kalojë në finale, duhet patjetër që një ndeshje ta fitojë si mysafir. E Prishtina, do të kërkojë këndelljen në ndeshjen e tretë për të kaluar përsëri në avantazh. E në finale shkon ekipi që arrin tri fitore! Pra minimalisht do të luhen edhe dy ndeshje mes skuadrave, në Prishtinë dhe Mitrovicë. E nëse përsëri është baras, 2-2, atëherë vendimtarja e pestë, luhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga