Fantasy TopSporti
Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GAME 3: YLLI - TREPÇA

Trepça fiton në Suharekë, seria vazhdon!

Fotot: FBK

Trepça fiton në Suharekë, seria vazhdon!


29 May, 2022 @19:02

Përsëri ndeshje e ngushtë e serisë finale, sikurse e para e serisë në Suharekë, por kësaj radhe i takoi Trepçës, që nuk kishte opcion tjetër pos fitores.

Po të fitonte sonte Ylli, do të shpallej kampion me serinë 3-0.

Por, këtë ia mohuan ekipit suharekas lojtarët e Trepçës që u angazhuan në mbrojtje jashtëzakonisht në dy minutat e fundit dhe nuk i lanë të shënojnë pikë, kur rezultati ishte 55-56.

E deri në fund, dy minutat e fundit të ndeshjes, u shënuan vetëm dy pikë nga Trepça, të dyja nga gjuajtjet e lira për të fituar duelin jetik për ta, 55-58.

Ylli mitrovicas i Trepçës, Drilon Hajrizi, ka qenë në element sonte, pasi që luajti me 21 pikë, 9 kërcime e 5 asistime në fitoren e ekipit të tij.

Me 12 pikë e 16 kërcime amerikani Andrew Gordon kontriboi gjithashtu në fitore, ndërsa 10 pikë të tjera dha Amin Hot, duke llogaritur këtu edhe njërën nga dy gjuajtjet e lira që i kishte në fund të takimit.

Ylli e nisi mirë ndeshjen dhe kapi çerekun e parë me 20-17. Trepça e mori të dytën me 10-12, por pjesa e parë u mbyll ngushtë në të mirë të vendasve, të cilëve me 30-29 u kishte mbetur edhe 20 minuta deri te titulli kampion.

Por, ata në çerek të tretë u ndalën në 10 pikë, karshi 13 të shënuara nga Trepça, e në atë të fundit që përfundoi 15-16, ekipi i drejtuar nga Ljubomir Minchev fitoi me 3 pikë dallim, 55-58.

Dajuan Graf me 14 pikë, 8 asistime e 6 kërcime qe më i miri te Ylli, ndërsa u dallua edhe Mikaile Tmusic, që luajti me 13 pikë e 2 kërcime, duke mos arritur të shënojë edhe shutin përfundimtar të ndeshjes për të cuar duelin e katërt në vazhdime.

Erjon Kastrati u ndalë në 1 pikë, ndërsa Gëzim Morina në 4!

Tash seria bartet në Mitrovicë, ku Trepça do të synojë triumfin e radhës për të barazuar serinë në 2-2 dhe për të çuar serinë finale në ndeshjen vendimtare, të pestën, në 13 qershori të Suharekës.

Ylli, në përballjen e dytë të serisë në Minatori ishte treguar i pamëshirshëm dhe efektiv, gjë që do ta kërkojë përsëri në ndeshjen e katërt të serisë për të fituar titullin.

Pas tri ditësh mësohet, a do të bëhet seria 2-2 për të shkuar në super-vendimtaren, apo me 3-1 Ylli do të përfundojë serinë!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga