KUPA E GJASHTË PËR TREPÇËN
Trepça mbron trofeun e Kupës, mposht Prishtinën në finale
19 February, 2023 @19:10
Trepça ka arritur të mbrojë trofeun e Kupës së Kosovës, pasi që në finale të Kupës sonte në Mizahir Isma të Rahovecit mposhti Prishtinën me 8 pikë dallim, 74-66.
Ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme kjo e sontmja, një finale e madhe që dha luftë dhe gjithçka derisa fituese në fund doli Trepça, që nuk e lë trofeun të dalë jashtë Mitrovice.
Sa i përket ndeshjes, ajo ka qenë mjaft dramatike dhe e barabartë në pjesën më të madhe të ndeshjes, hiq minutat e fundit, kur pas një reagimi josportiv të Ahmet Kandemirit ndaj referëve, ai u përjashtua dhe bardhekaltërit mbetën pa kryetrajner për pjesën e mbetur të lojës.
Andrew Gordon i Trepçës, përkundër se dha vetëm 6 pikë, ka qenë i jashtëzakonshëm nën kosh, duke dhënë energji me lojën e tij dhe duke bërë tri bllokada në lojë, ndërsa bëri edhe 9 kërcime në fitore.
Pos tij, sa i përket pikëve u dallua Drilon Hajrizi që shënoi 16 pikë, 3 asistime e 8 kërcime, ndërsa Mikaile Tmusic shënoi 13 pikë, edhe pse saktësia e tij sot për tri pikë la për të dëshiruar, 1/7.
Kendrick Brown luajti me 14 pikë, bëri edhe 3 asistime e 3 kërcime në fitore për mitrovicasit, ndërsa Will Daniels që la lojën para fundit të saj për shkak të 5 gabimeve personale shënoi 11 pikë e 2 kërcime në finalen e fituar.
Përndryshe, për trajnerin e Trepçës, Engin Gençoglu ky është trofeu i parë në basketbollin kosovar, ndërsa turku disa herë theksoi në deklaratat e tij se Trepça është rikthyer.
Derrick Wilson që dha 13 pikë te Prishtina luajti pa pushim për 40-minuta, ndërsa me nga 16 pikë lojën e kryen Dardan Berisha e Dustin Thomas. Dardani bëri edhe 4 asistime e 6 kërcime në lojë, njëjtë sikurse Thomas, kurse lojtarët tjerë nuk kapën shifrat dyshifrore në shënim të pikëve.
Kandemir mbeti pa trofe, ndërsa Prishtina përfundon luftën e parë për trofe të stinorit nën Kandemirin pa atë.
Në përgjithësi, ky është trofeu i gjashtë i Kupës për Trepçën i fituar, derisa ekipi mbrojti trofeun që në stinorin e kaluar e fitoi në finale ndaj Bashkimit, nën drejtimin e trajnerit bullgar Ljubomir Minchev.