PJESA E PARË E DOBËT, DHA VERDIKTIN E NDESHJES!
Trepça pëson edhe nga Gravelines Dunkerque
1 November, 2023 @21:00
Pas disfatës nga ZZ Leiden në “Minatori”, Trepça ka përjetuar edhe humbjen e dytë në Grupin G të FIBA Europe Cup, duke u mposhtur nga ekipi francez Gravelines Dunkerque sonte. Ekipi mitrovicas nuk nisi ndeshjen mirë, ndërsa në pjesë të parë shënoi krejt 19 pikë, e dallimi me kundërshtarin ishte i madh që atëherë. Vendasit kishin shënuar 40 pikë pas pjesës së parë. Në pjesë të dytë edhe pse Trepça ishte pak më e mirë, rikthimi në ndeshje ishte i pamundur dhe kështu ata u mposhtën për të dytën herë në kuadër të grupit, sonte 83-49.
Pesë lojtarë të ekipit francez kryen ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërsa koshashënuesit më të mirë ishin Thomas Cornely me 17 dhe Tajuan Agee me 14 të shënuara. Kjo ishte fitorja e parë në grup për ekipin e Dunkerque.
Te Trepça, ku nuk funksionoi asgjë në pjesë të parë veçanërisht, i vetmi lojtar që ka arritur shifrën e pikëve dyshifrore ka qenë Jordy Tshimanga me 13 pikë. Ai bile bëri double-double, duke regjistruar edhe 11 kërcime, 3 prej të cilave në sulm. Por, pjesa vendore e Trepçës nuk funksionoi fare, derisa basketbollistët e drejtuar nga Adis Beciragic nuk arritën të fitonin asnjërin çerek të ndeshjes në këtë lojë.
TABELA AKTUALE E GRUPIT G:
1. ZZ Leiden 3-0
2. Gravelines Dunkerque 1-1
3. Trepça 0-2
4. Hapoel Galil Elion 0-1.