SHKARKOHET EDHE VULIC!
Tri humbje radhazi, Prishtina shkarkon trajnerin kroat!
11 March, 2024 @11:13
Vetëm shtatë xhiro drejtoi ekipin në Superligë dhe maksimumi që arriti ishte të sigurojë finalen e Kupës së Kosovës në basketboll. E tri humbjet e rreshtuara së fundi dhe humbja e pozitës së tretë në renditje tabelare, mbushën kupën!
Prishtina që në mëngjes sot zyrtarizoi ndarjen me trajnerin kroat të saj Jaksa Vulic. Klubi përmes një njoftimi të shkurtër falenderoi trajnerin për punën e deritashme.
“Faleminderit Jaksa! Ju njoftojmë se klubi ka ndarë rrugët me trajnerin Jaksa Vulić. Trajnerin e falenderojmë për kontributin e dhënë deri më tani.” - shkroi KB Prishtina në njoftim.
Përndryshe, Vulic do të mbahet në mend si ndër trajnerët e rrallë që del me bilanc negativ me ekipin e Prishtinës në Superligë. Ai ka regjistruar tre fitore e katër humbje sa qëndroi në krye të Prishtinës në ndeshjet kampionale.
Në anën tjetër, arriti finalen e Kupës duke mposhtur Prizrenin e Bashkimit, për të pësuar në finale nga Trepça. Sa i përket BIBL, Vulic aty drejtoi Prishtinën në dy ndeshje, duke mposhtur AEL-in qipriot dhe duke pësuar nga Peja!
Në ditët në vijim, mbetet të shihet nëse Prishtina do të sigurojë një trajner tjetër të huaj në ekip për fazën e playoffit, apo do të rikthejë “xhokerin” Albert Sylejmani. Përndryshe, Prishtina tash do të jetë në kërkim të trajnerit të katërt për këtë stinor në Superligë, pasi që e nisi sezonin me lituanezin Zydrunas Urbonas, e vazhdoi përkohësisht me Albert Sylejmanin, derisa gjeti Jaksa Vulicin. I katërti, në pritje.