FITORE DRAMATIKE
Vëllaznimi fiton në sekondat e fundit dhe siguron playoffin
9 March, 2024 @20:59
Me fitoren e sontme të shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes, Vëllaznimi ka siguruar edhe matematikisht playoffin për këtë edicion të Superligës. Ndeshja u bë shumë dramatike në fund, ndërsa Prizreni barazoi dy herë rezultatin 82-82 dhe 85-85 për të afruar ndeshjen shumë afër vazhdimeve.
Por një faul i bërë 3 sekonda para fundit nga Cockfield te Ray, është treguar fatal për Prizrenin. Jalen Ray shënoi dy gjuajtjet e lira për 85-87 dhe në 2 sekondat e mbetura shuti i Arti Hajdarit nuk përfundoi në kosh. Kështu, Vëllaznimi arriti fitoren e 11 sezonale dhe siguroi playoffin.
Prizreni në anën tjetër përkundër mundit të madh të treguar nuk ka arritur të shënojë fitore dhe të nxehë edhe më shumë luftën për playoff, ndërsa tash edhe pse rrezikon playoutin, ende ka gjasa për të dalë në playoff.
Ray përndryshe ka qenë jetik te Vëllaznimi i drejtuar nga Vladimir Krstic sonte. Ai dha 30 pikë, shutoi 6/10 për tri pikë dhe ka bërë 2 asistime e 7 kërcime në këtë fitore të madhe të gjakovarëve. 20 pikë i shënoi Myreon Jones, ndërsa me 13 sosh ndeshjen e mbylli Daniel Lekndreaj.
26 pikët e Ty Cockfieldit e 19 të tjera nga Isaiah Kelly, 18 nga Urim Zenelaj nuk mjaftuan për ekipin e Rigon Hasit. Prizreni mbetet në rrezik për playout.
Vëllaznimi tash ka bilanc 11-13, ndërsa mbetet i pesti në renditje tabelare. Prizreni me 7-17 është i parafundit.