STREETBALL
United Basketball, superfinalisti i tretë
Teksti: Streetball Kosova
22 July, 2016 @19:41
Gjilani ka dhënë superfinalistin e 3-të të Limak Streetball Kosova 2016.
United Basketboll u shpall kampion i Gjilanit në kategorinë kryesore, atë të profesionistëve.
Superfinalen skuadra United Basketball në përbërje me Qëndrim Demin, Driton Sylejmanin, Amir Bunjakun e Bardh Jakupin, e siguroi pasi në finalen e këtij qyteti mposhti ekipin Raptishe me rezultat 13:4.
Pas Ferizajit e Prizrenit, qyteti i Gjilanit ishte ndalesa e 3-të e kampionatit të 17-të të Streetballit Kosovar.
Kështu, Gjilanin në superfinalen e Ferizajit me 7 gusht do ta përfaqësojë United Basketball në kategorinë e profesionistëve, derisa në atë amatore kampion doli skuadra Boll Shanc, që po ashtu shkon në Ferizaj më 7 gusht, në garën për më të mirin e amatorëve.
Për dallim nga dy turnetë kualifikues të mbajtur në javën e shkuar në Ferizaj e Prizren, në Gjilan moti ishte super i nxehtë, gjë që edhe e bëri pak më të vështirë shfaqjen e gjithë talentit të streetbollistëve në fushë.
Për dallim nga vitet e kaluara kur garat janë zhvilluar në platonë para teatrit të qytetit të Gjilanit, këtë vit, arenë e ndeshjeve u bë fusha e basketbollit në lagjen Dardania, e inauguruar rishtaz në këtë komunë.
Garat i nisën streetballistët në kategorinë profesioniste, derisa dy konkurentët e vetëm të kategorisë amatore, u kualifikuan direkt në finale.
Nga 4 ekipe, United Basketball B, Core 4, Raptishe e United Basketball, finalen e prekën, këto dy të fundit.
Ekipi Raptishe në përbërje të Gëzim Musliut, Bledi Vokshit, Kushtrim Bajraliut e Leutrim Bajramit, ishte dominues në fazën e grupit me 3 fitore nga po aq takime, ndërsa United Basketball, shkoi tutje me 2 fitore e 1 disfatë, nga pikërisht ekipi Raptishe me rezultat 10:9.
Por skuadra United Basketball atë që se bëri në grupe, e bëri në finale.
Demi, Sylejmani, Bujaku e Jakupi, sikur kishin ruajtur energjinë për finale, ku ishin të saktë si nga brenda trapezit, ashtu edhe nga treshet, ndërsa po ashtu treguan mrbojtje të organizuar duke paralizuar sulmet e kundërshtarit, skuadrës dominuese në grup, Raptishe.
Si rrjedhojë e kësaj, me 13 pikë të shënuara e vetëm 4 të pranuara për 12 minuta, United Basketboll fitoi finalen e Gjilanit në konkurrencën e profesionistëve.
Në anën tjetër në finalen e konkurrencës së amatorëve, Boll Shanc deklasoi skuadrën Perlepnica të cilës nuk i funksionoi strategjia me gjuajtje nga largësia. Boll Shanc fitoi me rezultat 15:5 dhe shkoi në superfinalen e kategorisë së amatorëve më 7 gusht në Ferizaj.
Limak Streetball Kosova 2016, do të vazhdojë të shtunën , më 23 korrik, me turneun kualifikues të Gjakovës.