BOREA - TREPÇA
Vazhdimet vendosin, Borea mposht Trepçën
10 February, 2018 @18:34
Një ndeshje fantastike u zhvillua mes Boreas dhe Trepçës në Pejë.
Skuadër më e mirë në pjesën e parë ishte Trepça, mirëpo pejanët u rikthyen në lojë në pjesën e dytë dhe dalëngadalë e ngushtuan rezultatin.
Epërsia e mysafirëve filloi të ngushtohej edhe më shumë në çerekun e katërt, ndërsa dy shënime nga Hajzeri e Matoshi e barazuan ndeshjen në 70-70 53 sekonda para fundit. Në sekondat e mbetura, Zekiqi dështoi të shënonte për fitoren e mitrovicasve, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe Carter, gjuajtja e të cilit ishte gjithashtu e pasaktë dhe skuadrat u detyruan të shkonin në ‘overtime’.
Në 5 minutëshin e shtesës, më të përqëndruar u treguan vendasit, të cilët shënuan 9 pikë, 3 më shumë se kundërshtari dhe takimin e mbyllën me fitore 79-76. Fillimisht shënimet e Blendi Matoshit e më pas edhe saktësia në gjuajtje të lira nga Hajzeri e Idrizaj bënë që fitorja në fund t’iu takonte pejanëve, ndërsa te mitrovicasit ranë në sy dy gjuajtjet e lira të humbura nga Samir Zekiqi, duart e të cilit ‘u dridhën’ në momentet më kritike të ndeshjes.
Më të dalluarit te vendasit sonte ishin Blendi Matoshi me 19 pikë, 16 kërcime e 5 asistime dhe Sami Hajzeri me 16 pikë, 6 kërcime e 5 asistime, derisa te mitrovicasit sonte u veçuan Samir Zekiqi me 19 pikë, 6 kërcime e 8 asistime dhe Jordan Reed me 18 pikë, 17 kërcime e 3 asistime.
Kjo fitore bën që bilanci i Boreas të jetë 5-14, derisa Trepça bën një hap prapa në luftën për Play-Off.