VËLLAZNIMI NË KRYE
Vëllaznimi lider i ri i Ligës së Parë - Grupi A
6 October, 2024 @20:09
Fitorja e ardhur ndaj Rahovecit sot me golat e shënuar në pjesë të dytë të ndeshjes ka bërë që skuadra e drejtuar nga Leotrim Krasniqi, KF Vëllaznimi të marrë kreun e Grupit A të Ligës së Parë.
Kjo është hera e parë që këtë stinor Vëllaznimi del në krye të tabelës, ndërsa kuqezinjtë nga Gjakova kanë shfrytëzuar barazimin befasues që e arriti liderja e deritashme Drenica ndaj Mitrovicës në duelin tjetër të ditës.
Vëllaznimi mori epërsinë shpejtë, kur Altin Vojvoda i dha epërsinë. Por, vendasit e drejtuar nga Senad Alirifa barazuan shpejtë! Në pjesë të dytë Vëllaznimi reagoi me të filluar ajo, kur Rron Rogova i dha avantazhin ekipit, ndërsa kah fundi Nikson Memaj vulosi fitoren: Rahoveci - Vëllaznimi 1-3 [nn. 9’ - Altin Vojvoda 7’, Rron Rogova 48’, Nikson Memaj 81’].
Vëllaznimit puna iu lehtësua prej minutës së 62-të të ndeshjes, kur futbollisti që luan në pjesën ofanzive të Rahovecit mori karton të kuq. Liman Morina u ndëshkua me të kuqe pasi që gjatë duelit në ajër goditi fuqishëm me bërryl mbrojtësin e gjakovarëve.
Me fitore, Vëllaznimi mbyll xhiron e tetë të stinorit si lider me 19 pikë nga 8 ndeshje, ndërsa Rahoveci është i fundit me vetëm 4 pikë nga 8 ndeshje të luajtura.