Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GAME 4 | FINAL SERIES

Ylli kampion, mbron titullin!

Foto: FBK

Ylli kampion, mbron titullin!


2 June, 2022 @22:32

Ylli është bërë kampion i Kosovës për stinorin 2021/22 duke triumfuar në një ndeshje dramatike në Minatori të Mitrovicës ndaj Trepcës, 64-70.

Suharekasit kështu kanë arritur të mbrojnë titullin e kampionit të fituar në stinorin e kaluar, pasi që fitoi serinë finale të PlayOffit të Superligës me rezultat 3-1 në ndeshje.

Një super-ndeshje e ngushtë në rezultat me mbrojtje të forta dhe asnjë pikë e lehtë e shënuar në ndeshje, ka përfunduar me fitoren e suharekasve të drejtuar nga Adis Beciragic, derisa Ylli i Suharekës ka fituar titullin e dytë me radhë të kampionit të Kosovës në basketboll.



Çerekët

Pas çerekut të parë 18-22 në të mirë të mysafirëve, ku Erjon Kastrati shënoi 13 pikë në 10-minutat e para të ndeshjes, Trepça është ngritur në lojë dhe dalëngadalë ka arritur të zbusë epërsinë për të hyrë në cerek të fundit me rezultat të barbartë, pasi që në të dytin fituan 17-16 e të tretin 16-13!

E i gjithë dallimi në ndeshje u bë në momentet e fundit të lojës, kur Dajuan Graf riktheu epërsinë te suharekasit me tresh për 64-65, 2.13 minuta pa përfunduar ndeshja.

Që në sulmin tjetër Rodney Purvis i mitrovicasve nuk shënoi për tri pikë, ndërsa pikë nuk u shënuan deri 22 sekonda para fundit, kur Erjon Kastrati shënoi treshen e tij të dytë në ndneshje, për të pasuar me një pasim jo të mirë të Purvisit ku faulohet Gëzim Morina, e të cilit nuk i dridhet dora në sekondat e fundit, për të bërë rezultatin 64-70!

Njëzetë sekondat e fundit kaluan shpejt dhe pa pikë të shënuara, derisa suharekasit festuan në fund titullin e kampionit, pasi që fituan tri ndeshjet e serisë finale për të bërë serinë 3-1 në të mirë të tyre.


Performancat individuale të basketbollistëve

Dajuan Graf ka shkëlqyer në këtë ndeshje. Ai ka luajtur me double-double prej 15 pikëve dhe 13 kërcime, plus 5 asistime në fitoren e ekipit të tij.

Amerikani i ardhur nga kampionati i ndërprerë ukrainas ka kryer lojën me indeks efiçence, 27!

Më efikasi te Ylli ka qenë Erjon Kastrati. Erjoni shënoi 21 pikë, ndërsa dha 2 nga 6 tentime për tri pikë, derisa bëri edhe 5 kërcime e 1 asistim në fitore, duke llogaritur këtu një treshe të shënuar në momentet e fundit të lojës.

Mikaile Tmusic luajti me 16 pikë, 4 prej të cilave i shënoi jashtë vijës 7.65m prej 13 tentimeve që i bëri. Gëzim Morina dha 11 pikë në fitore, ndërsa Henrik Sirko përkundër se u ndalë në 3 pikë, bëri edhe 4 kërcime e 2 asistime në duelin, që doli të jetë vendimtar për titull.

Te Trepça e drejtuar nga Ljubomir Minchev, që luajti finalen e tretë të stinorit, Andrew Gordon me double-double ka qenë më i dalluari, përkundër se luajti vetëm 24 minuta! Ai kreu lojën me 17 pikë e 12 kërcime.

Rodney Purvis me disa tentime jo të sakta në momente kyqe, kreu lojën me 14 pikë, ndërsa Drilon Hajrizi luajti me 6 pikë, 7 asistime e 9 kërcime sonte.

Corban Collins shënoi 6 pikë e Amin Hot 8, për të mbyllur kështu stinorin 2021/22 si nënkampionë të Kosovës.



Më të mirët e stinorit të rregullt

Kujtojmë, Ylli dhe Trepça kanë qenë ekipet më të mira edhe në stinorin e rregullt të Superligës, pasi që përfunduan i pari dhe e dyta në renditje, përkatësisht. Gjithashtu, pos ndeshjes së dytë të serisë finale të PlayOffit që kaloi “lehtë” për Yllin, të gjitha duelet tjera të serisë kanë qenë të ngushta dhe janë fituar me shumë luftë, për të përfunduar gjithçka sonte, me 3-1 në të mirë të Yllit.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga