ZYRTARE

Ivan Koljevic te Rahoveci
25 February, 2022 @20:54
Shëtitja e malazezit nëpër ekipet kosovare vazhdon. Pas një pjese të stinorit të kaluar te Trepça dhe pas fillimit të stinorit 2021/22 me Prizrenin, Ivan Koljevic, është zyrtarizuar si lojtar i ri i KB Rahoveci.
“Sot është bërë zyrtarizimi i marrëveshjes ndërmjet klubit tonë dhe fundorit malazez Ivan Koljevic. Malazezi ka përvojë të madhe në basketbollin ndërkombëtar dhe atij kosovar, ndërsa skuadrës sonë i është bashkuar pas paraqitjeve të mira me skuadrën nga Prizreni,” ka shkruar njoftimi i vreshtarëve sonte.
Koljevic do të punojë nën urdhërat e trajnerit maqedon të Rahovecit, Ljupcho Malinkov, që është trajneri i tretë këtë stinor që po drejton ekipin që assesi nuk po arrin të këndellet nga rezultatet jo të mira.
Basketbollisti në fjalë së fundi ka pasur mesatare prej 20 pikëve, 9 asistimeve dhe 5 kërcimeve në Superligë të Kosovës, ndërsa ka qenë instrumental në ekipet që ka luajtur.