PARA NDESHJES VENDIMTARE
40 mijë bileta të shitura, rumunët mbushin stadiumin për ndeshje ndaj Kosovës
21 October, 2024 @10:40
Federata e Futbollit të Rumanisë (FRF) ka bërë të ditur se deri sot janë shitur 40 mijë bileta për ndeshjen që Rumania e pret Kosovën në nëntor në kuadër të Ligës së Kombeve.
Rumania si lidere e Grupit 2 në Ligën C të Kombeve edhe me barazim do të ketë thuajse të sigurt kalimin në Ligën B të Kombeve, prandaj ka ftuar që Arena “Națională” e Bukureshtit të mbushet plotë, ku kapaciteti total është 55 mijë e 600 ulëse.
Bileta më e lirë për këtë ndeshje është 7 euro, për tribunat prapa golave, ndërsa më e shtrenjta është ajo VIP, që arrin shifrën e 100 eurove. Aktualisht, në web-faqen e FRF-së thuhet të kenë mbetur të lira ulëset vetëm prapa golave, pasi që të gjitha sektoret tjera janë shitur.
Kosova e drejtuar nga Franco Foda do të kërkojë të bëj befasi në Bukuresht, pas disfatës së rëndë të pësuar në Prishtinë, 0-3! Rumania dhe Kosova janë skuadrat që luftojnë për vendin e parë në grup, ndërsa Qiproja e Lituania kanë betejat për mbijetesë aty. Vendimtarja Rumania - Kosova luhet më 15 nëntor, ndërsa ndeshjet e fundit të fazës grupore më 18 nëntor, kur Kosova pret Lituaninë, ndërsa Rumania Qipron.