PLAY OFF

BOROZANI/Erdis Driza
A do të ketë revansh?!
7 May, 2013 @15:07
Basketbollistët e Sigkos Bashkimit nesër do të kenë rastin përfundimtar për të barazuar serinë e Play-Offit ndaj Sigal Prishtinës, ose të mbyllin stinorin.
Pas humbjes së pësuar në Prishtinë 76-67 prizrenasit presin që në palestrën Sezai Surroi, të djegin Sigal Prishtinën për herë të dytë këtë stinor.
Përkundër se në ndeshjen e parë portokallët kishin rast të mirë për të mposhtur, loja e mirë e Akida McLain, që është i huaji i vetëm i mbetur në Prishtinë, pas lëndimeve të Julian Terrel dhe Alvin Snow, si dhe e Fahri Brecës ia prenë shpresat prizrenasve për befasi.
Në anën tjetër, skuadra e udhëhequr nga Ahmet Kandemir, nuk dëshiron të rrezikojë shumë dhe ata do të udhëtojnë pa kurrëfarë ngarkese në Prizren për të shënuar fitoren e dytë - që do t’i dërgojë në finale.
Ndërkaq, trajneri i prizrenasve, Muharem Vugdalic ka parashikuar se atmosfera në Prizren po i jep shpresa në fitore dhe vazhdim të serisë në ndeshjen e tretë, që do të dërgojë njërën nga skuadrat në finale.
Sigkos Bashkimi stinorin e kaluar ishte mposhtur pikërisht nga Sigal Prishtina në gjysmëfinale të Play-Offit, me rezultat 2-0. Atëbotë, Bashkimi udhëhiqej nga malaziasi, Rejhan Palamar, kurse Sigal Prishtina, nga Arben Krasniqi.
PLAY-OFF GJYSMËFINALJA (NDESHJA E DYTË)
20:15 Sezai Surroi - Prizren | Sigkos Bashkimi - Sigal Prishtina | (0-1) Ndeshjet në seri | Gjyqtarë: F. Kurshumliu, A. Vula dhe D. Mehmeti |